Sport
‘Lojë për nder’, Kombëtarja ndeshje me Islandën
Nuk ishte ky fundi që stafi drejtues i FSHF-së, trajneri Edy Reja, lojtarët dhe tifozët shpresonin. I gjithë ambienti kuqezi besonte që këtë të martë në “Air Albania” të ishte festë, të ishte një sfidë ku Shqipëria të siguronte një biletë për më tej në Ligën e Kombeve, por ky skenar, ky përfundim u bë nul pas humbjes ndaj Izraelit.
Në këtë sfidë të fundit në Ligën e Kombeve luhet vetëm për prestigj, luhet për nder dhe mbi të gjitha luhet për tifozët kuqezi, besnikët e përjetshëm të Kombëtares. Në letër, kjo ndeshje nuk ka asnjë vlerë, por sigurisht askush nuk preferon të humbas, të paktën do të kërkohet fitorja për të lënë pas një rival në një grup me 3 ekipe. Sigurisht për disa lojtarë, Kombëtarja ka qenë dhe mbetet një vitrinë e rëndësishme, për më tepër që një pjesë e tyre janë aktivizuar pak ose shumë pak me ekipet respektive.
Besojnë te fitorja e Shqipërisë edhe kompanitë e basteve, një fitore e mundshme e kuqezinjve kuotohet me koeficientin 1,95. Kjo është përballja e nëntë e Shqipërisë me Islandën, 4 fitore për ishullorët, 3 për Shqipërinë dhe vetëm një sfidë, ajo e fundit, ka përfunduar në barazim.