Shkrime
Albini ka vdekur, rroftë Kurti
Nga Baton Haxhiu
Albin Kurti ka vdekur. Ka vdekur edhe Vetëvendosja.
Me Albin Kurtin ka vdekur edhe shëmbëlltyra edhe memoria. Flokët e gjata, burgu në Serbi, janë kujtime varri.
Nga sot Kosova ka një kryeministër të dobët dhe pa imazh.
Por, ky është fajtor për vdekjen e tij politike, jo për jetën në politikë.
Prandaj, është një lider me i dëmshëm politikisht se sa Albin Kurti. Është ish-Kryeministri, Ramush Haradinaj. Për qeverisjen dhe mënyrën e prezantimit në arenën politike në rajon. Veçanërisht me ndërkombëtarët.
Por, në gjithë të keqen që i bëri Kosovës me shijen e munguar politike, ai, në anën tjetër, zh/vendosi një kriter në jetën politike të Kosovës.
Lëshoi rrugë out of blu dhe iku nga beteja. Ndërkohë i dha jetë Albinit dhe i shtroi autostradën politike të ardhjes në pushtet. I dha jetë Vetëvendosjes.
Mbase bëri mirë, sepse na rrinte mbi qafë një projekt dhe një djalosh me refleksionin e burgut dhe parimet e tij në projektin vetëvendosës.
Nga dje Albin Kurti i vetëvendosjes nuk është më. As ai, as krijesa e tij, s’kanë kuptim më në jetën tonë politike, në mënyrën se si janë prezantuar publikisht.
Është e habitshme çudia e një pjese të opinionit publik me tërheqjen kokulur të Kurtit para kërkesave të Aleksandër Vuçiç e BE-së për çështjen e targave.
Duket sikur një pjesë e tyre nënvetëdijshëm ende besojnë se Albin Kurti i vërtetë është Albin Kurti i “sakrificave vetëmohuese për të mirën e kombit”, siç ka zotuar edhe në ditët kur e kundërshtonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës me arsyetimin se kjo nuk është një pavarësi e njëmendtë, kur ai e cilësonte EULEX-in si mision kolonial apo e luftonte Ligjin Kundër Shkuarjes në Luftëra të Huaja me idenë se kjo ua ndalonte shtetaseve të Kosovës të shkojnë të luftojnë në Shqipëri a Iliridë po e kërkoi nevoja.
Këto përshtypje megjithatë nuk janë asgjë tjetër, pos mbetje e një naiviteti të patretur, marrë parasysh gjithë lëvizjet politike të Albin Kurtit tani e disa vjet në qeverisje.
Për cilëndo mendje të kthjellët, ndërkaq, tërheqja e djeshme e Kurtit nuk është asgjë tjetër vetëm vazhdim i taktikave të tij për të zbatuar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë pa njohje dhe me Zajednicën në qendër.
Albin Kurti, përkundër lojërave me fjalë e arsyetimeve të tij publike, në fjalën e tij të fundit në Kuvend, dukej thellë i shqetësuar për çfarë ka ndodhur mbrëmë. Dikush mund të mendojë se dhimbja vinte nga përplasja mes idealit dhe realitetit. Jo, ajo është fytyra e trishtuar e krijuesit që sheh kryeveprën që i tha shpirt tek ia merr po vetë, sepse të dy nuk jetojnë dot më. “Public Persona” e tij është viktima e radhës. S’është e para, por është më e rënda. Filicid në Parlament.
Në të vërtetë, ai është plotësisht i vetëdijshëm qe e ka marrë pushtetin me dhunë, gënjeshtra dhe mashtrime, duke iu fryrë zemrave më atdhetare me këngë prej gjaku dëshmorësh (edhe ata qe ua punoj fort duke ua menderosur sakrificën si Mon Balaj, Arben Xheladini, Arbnor e Astrit Dehari, pa i përmendur këtu dhjetëra vite burg në tërësi të mbajtura prej aktivistëve të devotshëm, kryesisht sot pjesë e PSD-së), premtime te zjarrta për hajdutë e oligarkë në burg të cilëve sot s’guxon as ai, as mendjet e robëruara të tij, t’ua përmendin as emrin, sepse po ua hajnë lekun.
Përbetimi për bashkim kombëtar me Shqipërinë e makro-shengen shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Këto manipulime e kanë sjellur në pushtet, por të njëjtat janë edhe barra e madhe e tij, veçanërisht para shqiptareve të ndershëm që ende refuzojnë ta shohin realitetin drejt e në sy, para marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe me Zajednicën në qendër.
Edhe pse, sa i përket kësaj pjese, Albin Kurtit mund të fle fare i qetë, pasi për menaxhim të marrëdhënieve të tij me publikun kujdeset një skuadër e tërë kukullash të stërvitura për lojë teatrale në krye me Lumir Abdixhikun, Memli Krasniqin dhe së bashku me shoqëritë e tyre nga bota e tregjeve te zeza, ajo e ndërtimtariëe, sektori i IT-së patjetër, investimeve në fushën e bujqësisë e aksioneve në klubet e natës.
Së fundi, në këtë projekt është përfshirë edhe një ZERO e madhe politike.
Prandaj, jo vetëm për nënshkrim të marrëveshjes me Zajednicën në qendër, por edhe për ndonjë vendim si rikthimi i Kosovës nën Rezolutën 1244, Albin Kurti mund të llogarisë lirshëm në mbështetjen e dyshes së kapur Abdixhiku-Krasniqi (renditja nuk është bërë sipas nivelit të kapjes, por sipas përkushtimit për të qëndruar të kapur)
Përtej lojës ditore me kukullat e tij politike, Albin Kurti ka një hall më të madh, një brengë më të thellë, një shqetësim më të rëndë – Dëshira gërryese për t’u bërë pjesë e historisë me çdo kusht. Pa kursyer asnjë mjet.
Është metoda që e solli në pushtet, por e ka trullosur politikisht.
Për të qenë të saktë, Albin Kurti asnjëherë nuk ka kundërshtuar asnjë proces për shkak të bindjeve te tij, as interesave shtetërore të Kosovës, apo interesave të kombit shqiptar, por për faktin që nuk ka qenë vetë në krye të tyre.
Ky është rasti që nga koha kur në vitin 1998 e kundërshtonte luftën e UÇK-së duke premtuar – pa ia kërkuar kush – në gjuhën angleze se ai kurrë nuk do të kap një armë në dorë; nga koha kur hiqej si azgan i pafre duke kundërshtuar Rambujenë e deri te mallkimi i Marrëveshjes së Uashingtonit si tradhti kombëtare, përkundër faktit që krejt marrëveshjet e tij për targa, letërnjoftime e energjetike janë më të rënda sesa përmbajtja e saj.
Pra, logjika është përgjithësisht e thjeshtë.
Në botën e iluzioneve që ka ndërtuar vetë dhe më pas u bë banorë i përhershëm, çka nuk mban firmën e tij është tradhti, dhe kushdo që nuk mbështet çdo firmë të tij është tradhtar.
Për këtë logjikë, Vjosa Osmani, para se ta bej kapërcimin e madh nga servilizmi sahanlëpirës ndaj Isa Mustafës tek servilizmi puthadorësh ndaj Albin Kurtit, e quante këtë të fundit Hugo Chavez. Betohej se kurrë në jetë nuk do të behet punëtore e tij.
Sidoqoftë, marrëveshja që tanimë është pajtuar plotësisht Albin Kurti, është politikisht aq e rendë, sa ai fare mire e di se i duhej të blejë edhe pak kohë për t’i lënë vetes pak derë në Kosovë.
Ne fakt, unë besoj se ai do rrijë këtu sa ta lëvrojë këtë vend politikisht e t’i qëndroj ne krye me xhipa të zi se pastaj do ia mbath tek gruaja e tij, e cila pa asnjë të drejtë i fut hundët nëpër shumë komunikime me ndërkombëtarë rreth temave për Kosovën, por gjithsesi me shumë më tepër marifet se Prindoni i Fenomenes. Kjo megjithatë është temë tjetër.
Ne fjalën e tij në Kuvend, Albin Kurti deklaroi se me opozitën ka dallime nga e kaluara, sepse gabimet e tyre janë bërë tani qëndrime të BE-së. Përkthimi në gjuhen e kuptueshme shqipe i kësaj fjalie është se “unë do ta zbatoj Zajednicën, por lavdia historike e mbylljes së konfliktit shqiptaro-serb më takon mua”.
Përgjegjësia?
Përgjegjësia do t’iu takoj prapë juve.
Vete Borrell e pranoi se palët janë pajtuar për të zbatuar krejt marrëveshjet e arritura në Bruksel. Vetë Vjosa Osmani, ne fakt, duke i ndërsyer Borrellit e telekomanduar nga Albin Kurti, BE-së nuk i kërkoi rivlerësim të marrëveshjeve të deritanishme, por e kritikoi se nuk po i bën Serbisë presion të mjaftueshëm për zbatim të tyre.
Si rrjedhojë, Zajednica në qendër të marrëveshjes pa njohje, është zotim i marrë nga Albin Kurti, por ai ka nevojë për dramë dhe teatër të mëtejmë për ta bërë edhe pak më të lehtë shitjen e saj te një pjesë e popullit që i duhet akokma.
Albin Kurti do ta kryejë këtë marrëveshje dhe kjo do t’i sigurojë qëndrim në pushtet (pushtetin ai e do më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, për këtë të fundit e shkelmoi si leckë edhe shërbëtorin e tij më jetëgjatë, Liburn Aliun) edhe mbështetje ndërkombëtare me ç’rast si foshnje te vërteta ai edhe Rita e Vjosa e Prindoni do të kenë mundësinë të bëjnë edhe disa selfie më shumë me udhëheqës evropianë. Sidoqoftë, Albin Kurti me këtë lëvizje do të humbë përfundimisht diçka që i ka ikur fija me kohë: Trashëgiminë e tij historike.
Sepse – dhe këtu situata bëhet e dhimbshme e rruga pa dalje – ndërtimi i lavdisë që kërkon është në proporcion të zhdrejtë me opozitarin e ndërtuar.
Ai prej kohesh ka filluar ta shes për interesa ditore LËVIZJEN VETËVENDOSJE.
Fillimisht, për llogari materiale, në KQZ e regjistroi tërësisht si PARTI, jo si NISMË QYTETARE, duke hequr dorë nga një prej tipareve kryesore dalluese të ligjëratës së tij politike. Pastaj, për llogari politike, e largoi nga identiteti i partisë së tij, shprehjen identifikuese ‘JO NEGOCIATA’.
Se këndejmi, ai u be udhëheqës i një partie pro-negociata (me parime ama) për vetëvendosje.
E, tani? E, tani është radha që të nënshkruaj një marrëveshje pa njohje me Zajednicë në qendër, më të keqe se çdo pararendës i tij. Pak rëndësi ka çka thonë argatët e paguar me zarfe nën tryeza të partisë nëpër rrjete sociale.
E vërteta është se me këtë nënshkrim, mundësia e lënies së një trashëgimie historike me imazhin e djaloshit flokëgjatë që nuk bën kompromise me bindjet e tij në rrudhë të parë, dhe pastaj me një partie të quajtur VETËVENDOSJE që theu besën e përgjakur në sheshe të Prishtinës duke iu dhënë plotësisht qejfeve politike të Serbisë, shkon dem plotësisht.
Ta kemi të qartë: VETËVENDOSJE më nuk ekziston.
Sfida e ardhshme është shkruaja e historisë se si një grup profiterësh, keqpërdoren djem e vajza idealist me rrëfimet më frymëzuese historike, për t’ua tregtuar brenda natës zellin e sakrificën për një marrëveshje me Zajednicën në qendër.
Pra, tanimë historia politike e Albin Kurtit dhe e VETËVENDOSJE-s është mbyllur, pavarësisht përpjekjeve të tij për të menaxhuar kriza perceptimi duke u mbajtur në patericat e tij Abdixhiku-Krasniqi.
Në një rrethanë tjetër mbase mund të gjejnë edhe emra të rinj, por sigurisht jo GUXO, sepse puna e tyre s’ka më asnjë lidhje me guximin.
Tani me VETËVENDOSJE historikisht është e mbaruar.
Pjesa e atyre qe kapen ende prapa këtij emri është një tufë e atyre që bie pas gomarllëqeve të Elvis Hoxhës dhe Husamedin Ferrajt dhe, si pasojë, s’kanë as mend, as karakter as moral.
Burokratë të zakonshëm, megalomanë te paditur, gojëligë të papërmbajtur, profiterë të pangopshëm shërbëtorë të zellshëm të një udhëheqësi që s’mban as presion mesatar mbi dy ditë.
Pas kësaj dite, tani çdo gjë është menaxhim politikash ditore e dallaveraxhinjve të zakonshëm.
Gjithsesi, mbetet te shihet nëse pas nënshkrimit të marrëveshjes, Albin Kurti do te përkulet në nderim të jetës dhe varrit së Astrit Deharit.
Asgjë e re në historinë politike tek e fundit.
Një tjetër tigër prej letre që prokalmon ecje nëpër rrugën e trasuar nga dëshmorët, vetëm për të shkelur mbi ëndrrat e një gjenerate.
Një pseudo-protagonist nëpër forume koti që pjesëmarrja paguhet, sepse përmbajtja mungon.
Sikur të na tregonte se e gjithë dëshira konsiston në ecje mbi tepihët e kuq të kryeqyteteve evropiane. Thonë se njerëzit i meritojnë liderët e tyre, por e pakuptueshme me çka e merituam të paguhet kaq shtrenjtë morti i këtij njeriu.
Albini ka vdekur, rroftë Kurti!