Connect with us

Aktualitet

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Britanisë, kthehen në atdhe 1000 shqiptarë

Nga 13 dhjetori deri në javën e parë të prillit, janë kthyer në atdhe 1000 shtetas shqiptarë. Bëhet fjalë për shqiptarë që kanë dështuar për të marrë një azil në Britani të Madhe, por edhe kthime vullnetare në Shqipëri.

Ekipet operacionale të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë ngritur një task forcë të përbashkët për migracionin, e cila shërben si porta kryesore për të koordinuar masat dhe veprimet e specializuara operacionale për menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në MB

Kreu i Policisë Kufitare dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku tha se qytetarët do duhet të ndjekin rrugën ligjore për në Britani, pasi në të kundërtën do të përballen me pasojat.

“Ne po punojmë krah për krah me kolegët tanë britanikë nën task-forcën e përbashkët të migracionit për të parandaluar migrimin e parregullt në MB dhe krimet e lidhura me to. Policia Kufitare dhe Migracionit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin rrugën legale të migrimit dhe garanton se të gjithë personat që shkelin ligjin do të përballen me pasojat”, tha ai.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Zbatimit të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, u shpreh se nuk ka asnjë shans për shtetasit shqiptarë që vijnë në mënyrë ilegale.

“Këto shifra janë dëshmi se partneriteti ynë me qeverinë e Shqipërisë për të përshpejtuar largimin e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore për të qenë në MB po funksionon. Ndërsa ne e intensifikojmë më tej këtë aktivitet, shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kanë të drejtë të jenë këtu, nuk duhet të kenë asnjë iluzion se do t’i largojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Në vitin 2022 ka pasur 1888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 (51%) janë kthime të detyruara dhe 934 (49%) kthime vullnetare. Numri i kthimeve vullnetare është 90% më i lartë se në vitin 2021 (492).

“Home Office” thotë se ky trend ka vijuar edhe në 2023.

“Ky është një trend i ri dhe inkurajues, të cilin e kemi parë të vazhdojë edhe në vitin 2023. Tashmë në vitin 2023, nga janari në mars, janë kthyer 795 shtetas shqiptarë. Prej tyre, 389 (49%) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 (51%) ishin kthime vullnetare. Këto operacione pritet të intensifikohen më tej në muajt në vijim”, thuhet në reagim.

Në deklaratën zyrtare të dy palëve thuhet se dy shtetet do të luftojnë për t’i dhënë fund migracionit të paligjshëm, ku sipas tyre pengon seriozisht prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe mundëson kriminalitetin, shfrytëzimin dhe forma të tjera të paligjshmërisë.

Advertisement