Connect with us

Kosova

Pavarësisht puthjes…S’ka kimi mes Kurtit e Vucic

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Pa përparim në këtë pikë, “nuk mund të ketë përparim as në çështjet tjera” për të cilat diskutohet në këtë dialog.

Kështu thonë disa burime diplomatike në Bruksel, duke pranuar – ndonëse jozyrtarisht – se Asociacioni është prioriteti numër një, edhe pse Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë, që duhet të shpjerë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duhet zbatuar plotësisht.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, nisja e procesit të themelimit të Asociacionit – që sipas Brukselit ndodhi në takimin e 2 majit – dëshmoi sesa larg janë palët nga njëra-tjetra. Sipas tij, ky takim tregoi se “kimia mes dy liderëve nuk është e mirë“.

Në BE pranojnë se dallimet rreth Asociacionit nuk do të jenë të lehta për t’u tejkaluar. Me gjithë vështirësitë, në BE këmbëngulin që të ketë një zgjidhje, sepse, në të kundërtën, siç përsërisin, dialogu nuk mund të ecë përpara.

Advertisement