Kosova
Baerbock konfirmon se Gjermania do të dërgojë 150 trupa shtesë në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një prononcim të shkurtër për media pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur se Gjermani do të dërgojë rreth 150 trupa shtesë në Kosovë në javët në vijim.
Kryediplomatja gjermane ndër të tjera ka theksuar se angazhimi i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor shkojnë paralelisht.
Në anën tjetër shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në prag takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që te rrisin vullnetin e tyre për të zbatuar Marrëveshjet e dala nga dialogu në atë mënyrë për të vazhduar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Union.
Diplomati spanjoll ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit në mes të BE-së dhe NATO-s në Kosovë. Ai ka konfirmuar se në këtë sesion të NATO-s ndër të tjera do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor.