Connect with us

Kosova

Nyja e Kosovës hap probleme për Vuçiçin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se nuk beson që nyja e Kosovës do të zgjidhet shpejt dhe thjesht dhe u shpreh se ndihet krenar për bllokimin e pranimit të Kosovës në UNESCO.

Në TV Prva, Vuçiç ka shpjeguar se ka qenë në krye të aksionit për bllokimin e pranimit të Kosovës në UNESCO.

“Jam krenar për këtë sepse nëse Kosova do të pranohej në UNESCO, e cila është agjenci e specializuar e OKB-së, do të ishte hapi më i afërt drejt anëtarësimit të plotë në OKB” –  shpjegoi presidenti serb.

Vuçic shtoi se me anëtarësimin në UNESCO, njerëzit do të fillonin të flisnin për trashëgiminë e Kosovës dhe gjithçka që është trashëgimi mesjetare serbe nga Banjska në veri deri në Deçan, papritmas do të bëhej e Kosovës.

“Pastaj sillnin priftërinj shqiptarë, siç bënë në kishën e Podujevës, dhe thoshin se është e shqiptarëve. Prandaj jam krenar që e kemi kryer atë aksion” – u mburr Vucic

Ai tha se e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit dhe se ka thënë pa mëdyshje atë që Serbia nuk mund dhe nuk do ta bëjë – e kjo është anëtarësimi në OKB, në organizatat dhe institucionet e organizatës botërore.

Ai kujtoi se këtë ia komunikoi presidentit të Francës, kryeministrave të Gjermanisë dhe Italisë, si dhe liderëve të BE-së në të njëjtin takim.

“Me atë pjesë duan ta fusin Marrëveshjen e Ohrit në kornizën e negociatave. Nëse e bëjnë, do ta dërgojnë në OKB dhe pastaj do hapin kutinë e Pandorës duke ua futur nën hundë vendeve që nuk e njohin Kosovën, për të ndryshuar qëndrimin e tyre. Unë do të luftoj kundër kësaj” – theksoi presidenti serb.

Advertisement