Connect with us

Aktualitet

Kush është shqiptari që punon për Elon Musk, nga Politekniku në zyrat e “Tesla”

Një histori suksesi, e një të riu shqiptar të dalë nga auditoret e Universitetit Politeknik të Tiranës, u shpalos sot në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN.

Protagonist është Oltion Prifti, i cili pasi përfundoi studimet e nivelit bachelor në UPT në vitin 2021, arriti që nëpërmjet punës dhe përkushtimit në sektorin e teknologjisë të bëhet shqiptari i parë, që punësohet nga Elon Musk.

Pas një përvoje të mëparshme në Suedi, i riu shqiptar është punësuar si inxhinier automatizimi në zyrat e kompanisë “Tesla” në Berlin.

Ai rrëfeu për A2CNN se aktualisht është angazhuar për prodhimin e baterive të makinave elektrike të gjeneratës së fundit, ku bën pjesë edhe Cybertrack.

“Jam diplomuar në inxhinieri elektronike. Kam dëgjuar për herë të parë për Tesla-n në vitin 2021 kur mbarova Bachelor-in në Universitetin Politeknik në Tiranë. Është një histori e gjatë që nisi kur lëviza për në Suedi. Në Shqipëri unë kam punuar më tepër si web-developer, por preferoja më shumë pjesën inxhinierike.

Në vitin 2014 kam aplikuar në shumë kompani, sidomos në Skandinavi dhe në vitin 2015 mora një ofertë pune për në Suedi dhe aty ishte puna e parë ku u fokusova në pjesën inxhinierike të programimit dhe zhvillimit.

Në 2019 kisha një projekt me kompaninë suedeze në Kaliforni dhe më bëri përshtypje që mbi 50% që punonin tek ky klienti ishin ish-punonjës të Tesla-s. Aty rashë në kontakt me persona dhe nisa të interesohesha.

Në 2021 nisa të bëja disa aplikime te Tesla në Kaliforni, ndërkohë ata më kontaktuan pas 5 muajsh nga Berlini duke qenë se Amerika nuk lejonte futjen e shtetasve të huaj për shkak të COVID-it. Aty filloi.

Aktualisht merrem me zhvillim e të gjithë pjesës së prodhimit të celulave të baterisë, që janë komplet teknologjia më e fundit që Tesla është duke prodhuar për gjeneratën e fundit të makinave elektrike”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ka arritur të ketë një takim me Elon Musk, Oltioni zbuloi se është përballur me të në zyrat e kompanisë në Berlin, të cilën CEO i Tesla-s dhe platformës X e viziton çdo tre muaj.

“Për të folur jo. Njëherë në çdo tre muaj është. Ai person është si një makinë që nuk pushon për të punuar. Ai mund të marri vetëm një ditë pushim në vit dhe e ke në çdo kompani që menaxhon.”

Advertisement