✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

112 do të jetë në shërbim 24 orë/ Sistemi i ri lokalizon telefonuesit, emergjencat me një numër të vetëm

Shqipëria do të ketë një sistem të unifikuar për menaxhimin e emergjencave përmes numrit 112, i cili do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për qytetarët në të gjithë vendin. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi, që parashikohet të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Shërbimi do të ofrohet në shqip dhe anglisht, ndërsa administrimi dhe mbikëqyrja do t’i besohen Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Një prej risive kryesore është identifikimi më i saktë i vendndodhjes së telefonuesit përmes teknologjisë Advanced Mobile Location (AML), e cila funksionon në pajisjet inteligjente Android dhe iOS. Kjo teknologji synon të ndihmojë ekipet e emergjencës të lokalizojnë më shpejt personat që kërkojnë ndihmë.

Sistemi do të mundësojë gjithashtu komunikimin përmes SMS-ve dhe formave të tjera të mesazheve me tekst, duke krijuar një alternativë për personat me vështirësi në dëgjim ose në të folur.

Në qendër të funksionimit do të jetë struktura e quajtur “Pika e Përgjigjes për Sigurinë Publike” (PSAP), e cila do të marrë dhe klasifikojë telefonatat, për t’ua përcjellë më pas institucioneve përgjegjëse. Për emergjencat civile, koordinimi do të kryhet nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.

Vendimi parashikon edhe regjistrimin dhe ruajtjen e të gjitha telefonatave në një databazë. Këto të dhëna do të shërbejnë për referencë dhe mund të vihen në dispozicion të organeve ligjzbatuese në rastet kur kërkohet.

Financimi i sistemit do të mbulohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të mbështetjes së qeverisë italiane për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

Advertisement