Kosova
Bloomberg ngre stuhi frike/ Blerja e raketave sjell trazira të reja
Në një artikull të gjigandit mediatik amerikan “Bloomberg”, kushtuar kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës , vlerësohet se kjo gjë mund t’i përkeqësojë tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht pas ‘përpjekjeve të dështuara’ të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.
“Momenti i blerjes, i cili ngjalli protesta nga autoritetet serbe, mund t’i përkeqësojë tensionet midis dy vendeve 25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që largoi forcat serbe nga Kosova. Përpjekjet ndërkombëtare për të shtyrë Beogradin dhe Prishtinën drejt normalizimit të marrëdhënieve deri tani kanë dështuar” – thuhet ndër të tjera artikullin e prestigjozes amerikane.
Vlera e “Javelin”-it amerikan, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, vlerësohet në 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa dhe 24 njësi për lëshimin e raketave – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.
“Bloomberg” kujton se sistemi anti-tank amerikan fitoi rëndësi në fushëbetejën e Ukrainës – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë.
Sistemi anti-tank “Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, i cili mund të depërtojë në armaturën e të gjitha tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne dhe nuk kërkon kontroll.