Politike
Ndikimi i Rusisë e Kinës në BP/ Mediu zbardh diskutimet në SHBA: Shqipëria duhet të…
Mbledhja e zhvilluar e një forumi të Kongresit amerikan ka patur në fokus ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Anëtarë të Kongresit, zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën shqetësimin për këtë ndikim në rajon ku thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre përmes ndërhyrjeve politike, dezinformimit si dhe përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore.
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili ndodhet në SHBA, mori pjesë po ashtu në forumin “Mëngjesi i Lutjeve” tha se Shqipëria ka një dimension të rëndësishëm ushtarak dhe mund të krijojë marrëdhënie me industrinë ushtarake amerikane.
“U fol për ndikimin e Rusisë dhe Kinës, duke pasur parasysh dhe shqetësimin për mundësinë e konfliktit në rajonin e Ballkanit. Por dhe për sigurinë kibernetik, etj.. Niveli i lartë i anëtarëve të kongresit, por dhe deklaratat e ekspertëve na bëjnë të kuptojmë sesi të ndërtojmë një partneritet në Ballkan. Por para kësaj, ne duhet të shohim mundësinë ushtarake dhe politike për të rritur peshë në rajonin e Ballkanit. Është me rëndësi një demokraci funksionale. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu duhet të kuptojmë përgjegjësitë tona si vende anëtare të NATO. Mendoj se ne kemi një dimension të rëndësishëm ushtarak dhe këtu mund të krijojmë marrëdhënie me industrinë ushtarake amerikane”, tha Mediu.