Aktualitet
Përse SHBA dërgon për herë të 6-të një sekretar shteti në Shqipëri? – Shkrim nga Roland Qafoku
Antony Blinken do të jetë sekretari i 6-të Amerikan i Shtetit që viziton Shqipërinë në një hark kohor prej 33 vjetësh. Sa herë që një shef diplomacie amerikane ka vënë këmbët në tokën tonë, ajo ka qenë e lidhur me një ngjarje madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët po e po, por jo vetëm. Për ato që kanë bërë dhe thënë gjatë vizitave të tyre në Tiranë, janë shndërruar në lajm dite duke u futur në historinë tonë, por njëkohësisht ky lajm ka bërë xhiron e botës dhe ka tërhequr vëmendjen e të gjithë globit. Kështu ndodhi më 22 qershor të vitit 1991 kur i pari, James Becker mbërriti në Tiranë gjatë kohës kur kryeministër ishte Ylli Bufi. Becker u prit si rock star në prani të 500 mijë banorëve entuziastë të Tiranës në sheshin “Skënderbej” dhe doza e asaj pritjeje arriti kulmin kur disa të rinj ngritën në krah makinën që ai lëvizte. Kishte vetëm 3 muaj që mes Shqipërisë dhe SHBA-së ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike pas 52 vjetësh ndërprerjeje, ndërkohë që regjimi komunist e kishte cilësuar Amerikën armikun numër një të shqiptarëve dhe xhandarin e botës. Vizita e tij tregoi vendosmërinë e SHBA për të inkurajuar vendosjen e demokracinë dhe rrëzimin e plotë të komunizmit