Aktualitet
Polic ditën, bodyguard natën/ Kush i kontrollon efektivët që punojnë privat?
Një polic që paguhet nga shteti për të garantuar rendin publik, natën shfaqet si bodyguard i një klubi privat.
Një rast mund të konsiderohej episod.
Por kur brenda pak ditësh, në dy prej klubeve më të njohura të jugut të vendit, dalin disa punonjës të strukturave shtetërore të angazhuar paralelisht në sigurinë private, atëherë pyetja nuk është më vetëm se çfarë ndodhi në një lokal.
PYETJA ËSHTË: SA I PËRHAPUR ËSHTË KY FENOMEN DHE KUSH E KONTROLLON?
Vrasja tragjike e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil ka nxjerrë në dritë një element tepër shqetësues.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, në rolin e bodyguardëve në “Principote” ndodheshin katër persona.
Mes tyre rezultojnë një punonjës i Policisë së Shtetit në Gjirokastër, një punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier dhe një punonjës i Policisë Bashkiake të Gjirokastrës.
Personat janë arrestuar në kuadër të hetimit. Sipas referimit të bërë publik, ata dyshohet se nuk ndërhynë për parandalimin e konfliktit dhe nuk njoftuan autoritetet pas ngjarjes.
Por historia nuk filloi në Ksamil.
VETËM DY DITË MË HERË, NJË TJETËR NGJARJE NË SARANDË KISHTE NXJERRË POTHUAJSE TË NJËJTIN PROBLEM.
Pas përplasjes në “Orange Club”, ku u dhunua edhe shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pezulloi dy efektivë.
Njëri ishte punonjës i repartit RESI dhe tjetri efektiv i RENEA-s.
Arsyeja e bërë publike nga Policia ishte e rëndë:
TË DY REZULTONIN TË DYPUNËSUAR PA LEJE SI ROJE SIGURIE NË LOKAL.
Sipas Policisë, efektivët nuk kishin njoftuar për konfliktin dhe nuk kishin ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e tij. Ndaj tyre nisi edhe hetim disiplinor.
Pra brenda pak ditësh kemi dy ngjarje të ndryshme, në dy lokale të ndryshme, por me një pikë të përbashkët:
PUNONJËS TË STRUKTURAVE SHTETËRORE QË PUNOJNË PARALELISHT NË SIGURINË E BIZNESEVE PRIVATE.
Dhe pikërisht këtu historia e Ksamilit pushon së qeni vetëm kronikë e zezë.
Ajo hap një problem shumë më të madh institucional.
Një efektiv policie ka akses në informacion, struktura, kolegë, sisteme dhe autoritetin që i jep uniforma.
Çfarë ndodh kur i njëjti person punon privatisht për një biznes që nesër mund të jetë objekt kontrolli nga Policia?
KUSH KONTROLLON KË?
A deklarohet kjo punë e dytë?
Kush jep autorizimin?
Sa efektivë të Policisë së Shtetit, forcave speciale, Policisë së Burgjeve apo strukturave të tjera punojnë aktualisht si bodyguardë në beach-bar, diskoteka dhe lokale nate?
A disponojnë strukturat drejtuese lista të punonjësve që ushtrojnë aktivitete të dyta?
A janë kontrolluar kompanitë private të sigurisë për të evidentuar nëse në listëpagesat e tyre figurojnë punonjës aktivë të shtetit?
Dhe pyetja më e rëndë:
ÇFARË NDODH KUR POLICI QË DUHET TË KONTROLLOJË NJË BIZNES, PAGUHET PRIVATISHT NGA I NJËJTI BIZNES PËR TA RUAJTUR?
Nuk mund të pretendohet se çdo efektiv që kryen një punë të dytë është i përfshirë në aktivitet të paligjshëm.
As dy rastet e fundit nuk provojnë vetvetiu ekzistencën e një skeme të organizuar.
Por ato janë të mjaftueshme për të kërkuar një përgjigje institucionale.
Sepse vetëm pak ditë ndajnë rastin e “Orange Club” nga ai i “Principote”.
Në të parin, dy efektivë u pezulluan pasi Policia deklaroi se punonin pa leje si roje sigurie.
Në të dytin, punonjës të strukturave shtetërore rezultojnë mes personave që shërbenin si bodyguardë në një lokal ku një turist humbi jetën.
Kjo nuk është më pyetje vetëm për pronarët e lokaleve.
ËSHTË PYETJE PËR POLICINË E SHTETIT, MINISTRINË E BRENDSHME DHE ÇDO STRUKTURË QË DUHET TË KONTROLLOJË INTEGRITETIN E EFEKTIVËVE TË SAJ.
Në një vend që kërkon të ndërtojë ekonominë mbi turizmin, siguria nuk mund të funksionojë me dy standarde:
një uniformë për shtetin gjatë ditës dhe një uniformë tjetër për privatin gjatë natës.