Connect with us

Kronike

Tirane/ Arrestohet efektivi i operacionales, bashkëpunonte me grupin që do shkëmbenin…

Një efektiv i Forcave Speciale bashkëpunonte me grupin që mbrëmjen e 21 marsit pranë Lidhjes së Shkrimtarëve do të bënin dhe shkëmbimin e 1 kg kokainë. Por në momentin kur agjentët e antidrogës i bënë thirrje për të ndaluar i përplasën me makinë.

Efektivi Forcave Operacionale, Ervis Shkurta, prej kohësh ishte i lidhur me grupet kriminale që merren me trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Madje, burimet bëjnë me dije se edhe mbrëmjen e së enjtes, ku Antidroga arrestoi 3 të rinjtë, Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, në Rrugën e Kavajës, Shkurta rezulton se ka qenë afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën, që të largohen me shpejtësi.

Emri i tij mësohet se ka dalë pas zbërthimit të celularëve të treshes së arrestuar, pasi hetuesit kanë mundur të gjejnë biseda mes të arrestuarve me një personi me nofkën “Visi i Pazarit”.
Ai lidhej me një numër britanik në aplikacionet e celularëve me të arrestuarit, ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e aparatit celular me numër britanik të Ervis Shkurtës.

Efektivi i Operacionales mësohet se para hetuesve ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me ta dhe është i përfshirë në shkëmbimin e drogës, duke përfituar shuma të mëdha parash. Roli i Shkurtës ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale. Jo vetëm kaq, por Shkurta dyshohet se kishte njohje dhe lidhje edhe me bandën kriminale të Ervis Martinajt.

Mbi të rëndon akuza e trafikut dhe shitjes së narkotikëve e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, Eneo Sulejmanaj dhe dy shokët e tij, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, ishin të përfshirë jo vetëm në trafikun  e kokainës. Ata dyshohen si të implikuar edhe në trafikun e kanabisit në sasi të mëdha, lëndë të cilët e siguronin kryesisht në zonën e jugut. Antidroga e Tiranës, është duke punuar për të provuar përfshirjen e tyre. Sulejmanaj dhe anëtarët e tjerë të grupit, lëndën narkotike e shisnin kryesisht në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ndërsa kokaina që u sekuestrua nga policia, kishte ardhur nga Durrësi.

Një punonjës policie, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është arrestuar i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Advertisement