Politike
Dumani në Kuvend/ Braçe shpërthen ndaj PD: Turp, seanca kaloi në kontroll politik
Një seancë turpi e quan deputeti socialist Erion Braçe, sulmin që PD bëri ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit të tij për veprimtarinë e SPAK në vitin 2023. Braçe tha se seanca kaloi në kontroll politik, me hyrje dhe ofendime ndaj Dumanit e Prokurorit të Përgjithshëm.
Madje, deputeti i PS shkon edhe më tej kur thotë se dukej si një intervistë ku të personat që po hetohen morën në pyetje prokurorin e tyre. Kritika pati edhe për vetë PS, për të cilën thotë se ishte e papërgatitur për këtë skenar të opozitës dhe se nuk duhej të kishte lejuar që seanca të dilte jashtë kontrollit parlamentar.
“Ishte seancë e turpshme, që nuk gjen bazë ligjore në rregulloren e Kuvendit apo Kushtetutë. Ishte një seancë që doli jashtë kontrollit parlamentar për të shkuar drejt kontrollit politik të SPAK. Filloi me fyerje shumë të rënda kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm dhe vijoi me atë seancë që kaloi në pyetje të ndryshme që ishin ndryshe nga ato që ishin depozituar, kontroll i mirëfilltë politik. Ishte si intervistë, që merrte në pyetje prokurorin e tij. Është e pa ndodhur dhe s’duhej të konsumohej si e tillë në sallën e kuvendit, më ka ardhur keq që ishim të papërgatitur në atë seancë. Ne kemi shkuar të papërgatitur për çfarë do bënte opozita, për mënyrën se si e kishte organizuar kontrollin politik të SPAK, ne s’duhej të kishim lejuar që seanca të shkiste rëndë në kontroll politik. Kam ndenjur pa lëvizur nga fillimi deri në fund të saj, jo thjesht për të dokumentuar kontrollin politik mbi prokurorin e SPAK, por edhe për solidaritet. Mu duke e tepërt që të ishin në sallë kur kacafyteshin dy palë. Prokurori i përgjithshëm dhe ai i posaçëm mu duk e padrejtë të merreshin në pyetje nga persona që ka në hetim. Qëndrova edhe si ndjesë politike kundrejt asaj situate që u krijua atje, veçanërisht ndaj sulmeve edhe fyerjeve personale të drejtpërdrejta”, tha Braçe.
Braçe thotë se ka duartrokitur pas raportimit të Dumanit në shenjë vlerësimi për durimin qe ka treguar dhe profesionalizmin.
“Kam duartrokitur profesionalizmin e zotërisë. E kam zili se ruajti qetësinë nga fillimi deri në fund. Kam reaguar disa herë gjatë seancës së marrjes në pyetje nga personat që i ka në hetim Dumani, se ky është karakteri im, zotëria e ruajti qetësinë përtej çdo caku, e kam duartrokitur për profesionalizmin, qëndresën dhe në shenjë ndjese për sjellin time dhe të tjerëve në mazhorancë që ishim atje të papërgatitur”, vijoi Braçe.