Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

KUR PËRPLASEN TË MËDHENJTË, DIHET KUSH E HA/ SHKULLAKU: MOS E GËLLTITNI

Pse u pranua Gjykata Speciale në vitin 2015 dhe çfarë mori Kosova në këmbim të presionit ndërkombëtar? Kjo është një nga pyetjet që ngre gazetari Armand Shkullaku, pas vendimit të Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Shkullaku u ndal te mënyra se si u krijuan Dhomat e Specializuara dhe te debati politik i vitit 2015.

Sipas tij, që në atë kohë ekzistonte bindja se ky mekanizëm do të mund të kishte pasoja për disa prej figurave kryesore të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin.

Shkullaku argumenton se votimi u bë nën presion të madh ndërkombëtar, ndërsa ngre pyetjen se çfarë përfitoi Kosova në këmbim.

“Kush ishte problemi pse u pranua? Çfarë u mor në shkëmbim?”, pyet ai.

Sipas Shkullakut, përgjigjja është se Kosova nuk mori asgjë.

“Nuk u mor asnjë gjë. U bë presioni, u votua gjykata dhe iku”, deklaroi gazetari.

Ai përmendi edhe rolin e Edi Ramës në vitin 2015, duke thënë se, sipas tij, kryeministri shqiptar u përfshi në këtë proces nën presionin ndërkombëtar.

Shkullaku argumenton se në atë periudhë ekzistonte edhe frika se, nëse Kosova nuk do ta krijonte vetë mekanizmin, çështja mund të kalonte në një tjetër nivel ndërkombëtar, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Por ai këmbëngul se kjo nuk e ndryshonte faktin që pasojat e Speciales ishin të parashikueshme.

“Këto dhoma të specializuara ishin një kërcënim serioz për disa nga udhëheqësit e UÇK-së, përfshirë vetë Hashim Thaçin”, tha Shkullaku.

Në analizën e tij, gazetari kundërshton idenë se sot duhet të mjaftohemi vetëm me reagime emocionale pas vendimit.

Ai kritikoi ceremonitë, lotët dhe deklaratat politike pas verdiktit, duke argumentuar se shoqëria shqiptare duhet të analizojë vendimet që çuan deri te kjo situatë.

“Ne kur na ndodh një gjëmë, dimë vetëm të qajmë. Por asnjëherë nuk kemi nxjerrë mësim”, u shpreh ai.

Shkullaku kërkon që debati të zhvendoset nga emocionet te pyetjet konkrete: çfarë dëmi është shkaktuar, cilat alternativa ekzistonin dhe cilat mundësi ligjore ekzistojnë sot.

Ai përmend apelimin, mundësinë e ndryshimit të kuadrit ligjor dhe pyetje të tjera mbi të ardhmen e Dhomave të Specializuara, duke theksuar se këto çështje duhet të analizohen në planin juridik dhe politik.

Gazetari kritikon gjithashtu atë që e quan “protagonizëm politik”, duke iu referuar edhe përfshirjes së Edi Ramës në vitin 2015.

Ai thotë se nuk synon t’ia atribuojë Ramës përgjegjësinë për vendimin e sotëm, por argumenton se përfshirja e tij u përdor edhe si dëshmi e ndikimit që Tirana zyrtare pretendonte se kishte mbi politikën shqiptare në Kosovë.

Shkullaku rikthen edhe debatet e atëhershme për një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi, përfshirë idenë e shkëmbimit të territoreve dhe një amnistie.

Në fund, mesazhi i tij është një thirrje për të mos pranuar automatikisht çdo kërkesë që vjen nga partnerët ndërkombëtarë.

“Jo gjithçka që të vjen nga përtej oqeanit duhet gëlltitur siç të qoftë”, deklaroi Shkullaku.

Për të, pyetja kryesore pas vendimit të Hagës nuk është vetëm se kush duhet të qajë, por çfarë mësimi duhet të nxjerrin Kosova dhe Shqipëria nga vendimet e marra më shumë se një dekadë më parë.

Advertisement