Politike
Edi Paloka betohet publikisht: Nëse Rama fiton sërish zgjedhjet, nuk do shkoj më në Parlament
Në një interviste në Ora News, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka tha se nuk do ta marrë mandatin e deputetit nëse Edi Rama fiton sërish zgjedhjet.
Ai shtoi se të gjithë demokratët kanë detyrën për të ngritur shqiptarët në revoltë dhe të krijojë një qeveri teknike si dhe lirimin e Sali Berishës që është në arrest politik.
“Unë personalisht as nuk e dua dhe as nuk e mendoj që të jem në parlament që drejtohet ende nga Edi Rama. Edhe këto 4 vite kam bërë një zgjedhje timen personale, me ato akte që kam pasur në atë parlament që nuk e konsideroj të denjë të mbajë atë emër.
Në mandatin tjetër, e kam thënë dhe e përsëris, nëse Edi Rama arrin të na vjedhë, të manipulojë dhe të shtrembërojë vullnetin e shqiptarëve dhe të vazhdojë të rrijë në qeveri, mandati im as nuk më hyn në punë. Do la lë dhe ta marrë kush të dojë pas meje, sepse asnjë vlerë nuk do të ketë që unë të jem në një parlament që do të jetë parlamenti një diktatori.
Nëse ne nuk arrijmë që të mposhtim Ramën ne nuk kemi asnjë justifikim. Nëse Rama arrin që të na manipulojë dhe të na marrë zgjedhjet, unë së paku nuk kam asnjë punë në atë kuvend. Kështu duhet ta shohin të gjithë deputetët dhe anëtarët e PD-së.
Kjo nuk është një ndarje privilegjesh. Të gjithë kanë detyrën për të ngritur shqiptarët në revoltë dhe të krijojë një qeveri teknike si dhe lirimin e Berishës që është në arrest politik” – tha Paloka.
Kujtojmë që një premtim të ngjashëm, Paloka e ka bërë edhe më parë.
Ai i ka premtuar më herët qytetarëve se nëse më 30 qershor zhvilloheshin zgjedhjet, ai do të jepte dorëheqjen nga politika.
“PD është rritur në sondazhe në pak kohë me 10 pikë. Ne po ecim si opozitë dhe rruga jonë është pa kthim. Vendimi politik nuk ka më ekstrem.
Do të ecim me këtë formë dhe me revolta me çdo mjet deri sa ta detyrojmë Ramën të realizojë zgjedhje të ndershme. Ne nuk do të lejojmë këtë.
Nëse Rama zhvillon dot zgjedhje pa opozitën, unë do të dal nga politika dhe këtë po e them këtu” – u shpreh Paloka 4 vite më parë.