Politike
“Anija e Edi Ramës ka marrë shumë vrima”
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është shprehur se ‘anija’ e mazhorancës së kryeministrit Edi Rama ka marrë shumë ‘vrima’ dhe është duke ‘u mbytur’.
Ai tha se SPAK ka çuar pas hekurave zyrtarë të lartë të PS dhe kjo sipas tij, do të ndikojë edhe në zgjedhjet e 11 majit.
Ai shtoi gjithashtu se ka shumë qytetarë që kanë votuar majtas në zgjedhjet e fundit dhe janë të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes, pasi sipas tij, njerëz të cilët ata nuk i kanë votuar, kanë përfituar nga vota e tyre dhe madje edhe kanë vjedhur.
“Anija e këtyre të PS, e mazhorancës, po merr vrima shumë. Edhe me këto vrima është shumë e vështirë që kjo anije të mos mbytet. Përveç atyre që SPAK i ka nxjerrë atje… Ne kemi atje në burg ministra, ish-kryetarë bashkish, njerëz të rëndësishëm, administratë që janë këta drejtorët atje.
Tani na dalin edhe këto vrimat e tjera që u hapën që janë të besueshme. SPAK pavarësisht të metave që ka, pavarësisht se lëvizja është pak e avashtë në disa raste, gjithsesi ka bërë vepra që kanë qenë në shërbim të popullit shqiptar. Unë besoj se këto do të ndikojmë edhe te vota në 11 maj.
Socialistët që janë fanatikë, sikur të ngeli vetëm ai direku lart dhe anija të jetë duke u mbytur, ata do të rrinë te direku. Po flasim me njerëzit me arsyetim. Nuk besoj se do të jenë të kënaqur edhe këta të majtët. Ata shikojnë që njerëz që ata nuk i kanë votuar, kanë përfituar nga vota e tyre dhe kanë vjedhur”, tha Duka për A2.