Bota
“Telenovela” me emigrantët në Gjadër/ Për herë të tretë gjykata vendos kundër qeverisë “Meloni”, do rikthehen sërish në Itali
Gjykata e Apelit e Romës ka pezulluar vendimin për kthimin e 43 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti të dërguar në kampin e Gjadrit.
Media italiane raporton se në përfundim të seancave dëgjimore me videokonferencë, Komisioni i Azilit shqyrtoi kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare të 43 emigrantëve në Gjadër dhe arriti në përfundimin se shumica e kërkesave ishin “dukshëm të pabazuara”. Vetëm një individ u vlerësua si i cenueshëm dhe do të vazhdojë procedurën për azil sipas rregullave të zakonshme.
Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, kritikoi ashpër qeverinë “Meloni” për menaxhimin e situatës, duke e cilësuar si një “dështim të madh” dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministres italiane. Ajo e akuzoi qeverinë për shpërdorim të burimeve publike dhe për mosrespektim të ligjeve dhe vendimeve të BE-së. Sipas Schlein, kostot për këtë proces tashmë kanë tejkaluar një miliard euro, të cilat mund të ishin investuar në fushën e shëndetësisë.
Kjo çështje ka bërë që shumë shtete dhe shoqata të ndryshme të hapin diskutime të mëtejshme për politikat e migracionit dhe mbrojtjes ndërkombëtare, duke vënë në dukje nevojën për një qasje më të qartë dhe të balancuar. Ndërkohë, për emigrantët që do të kthehen nga Shqipëria, pasojat e këtij vendimi mbeten të paqarta dhe e ardhmja e tyre mbetet në pritje të vendimeve të mëtejshme ligjore.