Shkrime
Dy lopë e pesë dele të dhuruara në Kosovë dhe një protestë e madhe në Beograd

Nga Enver Robelli
Sinonim dhe sllogan i protestave në Serbi është bërë folja “pumpaj” (në shqip: “pompo”). Domethënë: jepi frymë e forcë protestave. “Pumpaj” brohoritën këtë javë edhe përkrahësit e ekipit të basketbollit të “Cërvena Zvezdës”. Autokrati serb është simpatizant i deklaruar i ekipeve të “Cërvena Zvezdës”. Duket se edhe fansat e “Cërvena Zvezdës” ia kanë kthyer shpinën Aleksandar Vuçiqit.
Sot në orën 16:00 në Beograd fillon protesta e madhe e opozitës. Regjimi po bën gjithçka për të penguar tubimin e studentëve dhe qytetarëve të tjerë. Në Kragujevec, sipas mediave të pavarura serbe, ndërhyri shërbimi sekret BIA dhe ua hoqi targat autobusëve privatë të cilët do të sillnin studentët në Beograd. Njëkohësisht – të premten – policia kufitare serbe ua ka ndaluar hyrjen në Serbi gazetarëve të gazetës kroate “Sloboda Dalmacija” të Splitit.
Në Parkun e Pionierëve në Beograd, i cili gjendet mes institucioneve më të rëndësishme të shtetit, përfshirë selinë e presidentit, janë vendosur në tenda disa persona që prezantohen si “studentë që duan të mësojnë” – për dallim nga masa e madhe të studentëve, të cilën regjimi e akuzon se dëshiron kaos dhe po bojkoton mësimin. Ndërkohë mediat kanë zbuluar se shumica e atyre që rrinë në tenda dhe thonë se duan të mësojnë, janë persona të paguar nga regjimi. Afër tyre qëndrojnë edhe kriminelë lufte. Kanë ardhur edhe disa nga Kosova “për ta mbrojtur presidentin”.
Radio Evropa e Lirë (RFE) njofton se bazuar në incizimet dhe me ndihmën e mjeteve të burimeve të hapura për krahasimin e fytyrave, janë identifikuar midis të pranishmëve Sasha Millosheviq, i cili është kryetar i komunës së Novobërdës në Kosovë nga Lista Serbe dhe kryetar i Organit të Përkohshëm Komunal të Gjilanit, si dhe Sasha Sekuliq nga Organi i Përkohshëm Komunal i Prishtinës.
Në të njëjtën mënyrë, sipas RFE, u identifikua edhe Milan Kovaçeviq nga fshati Banjë afër Skenderajt. Kovaçeviqi u shfaq në media në vitin 2018, kur Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë i dhuroi atij dy lopë dhe pesë dele, pas një premtimi të mëparshëm nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Njëkohësisht po rritet presioni i regjimit ndaj serbëve të Kosovës, të cilët mbështesin protestat në Serbi.

