Connect with us

Politike

Tom Doshi bllokon Këshillin Bashkiak, ‘revolta’ pas shkarkimit të dy drejtorëve

Këshilltarët e PSD-së së Tom Doshit braktisën një ditë më parë mbledhjen e këshillit bashkiak. Aksionit të tyre politik iu bashkuan dhe këshilltarët e PD-së së Berishës. Kjo braktisje e mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga PSD duke lënë të vetëm të majtët, vjen pas disa shkarkimeve të drejtorëve rajonal të PSD në qarkun Shkodër, përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Dy përfaqësues të PSD-së, Gjek Sokoli dhe Rezarta Pode, janë larguar nga pozicionet e tyre drejtuese në institucione shtetërore në muajin mars.

Gjek Sokoli, i cili mbante postin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), si dhe Rezarta Pode, drejtoreshë e kompanisë shtetërore të sigurisë “Illyrian Guard” për Shkodrën. Sokoli dhe Pode janë njëkohësisht anëtarë të këshillit bashkiak në Shkodër.

Këto largime në nisje të fushatës kanë nxitur spekulime mbi një prishje të mundshme të bashkëpunimit mes PS-së dhe PSD-së. Zëra pranë PSD thonë se kjo vjen si një formë hakmarrjeje politike, nga i deleguari i PS Shkodër, kryebashkiaku Beci. Perveç dy drejtuesve mesohet se ka patur edhe largime të tjera në poste më të ulëta të përfaqësuesve PSD.

Anëtarët e PS e cilësuan si të papranueshme sjelljen e kolegëve të PSD dhe PD, duke thënë se ata në fakt nuk braktisën mbledhjen e këshillit, por qytetarët shkodranë që iu kanë dhënë votën. Ata kërkuan kthimin e anëtareve të PSD, duke thënë se projektvendimet prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Partia Socialiste ka 18 këshilltarë nga 51 që janë në total në ‘Parlamentin e Shkodrës’, ndërsa ndërsa socialdemokratët kanë 11 këshilltarë. PD e Berishës 12 këshillarë dhe 5 janë të Bashës. Me bashkimin e votave të PD dhe PSD, kryebashkiaku Benet Beci me socialistët nuk vendos dot i vetëm për të kaluar projekt vendimet në këshill.

Advertisement