Connect with us

Kosova

Pa e ditur se kishte në dorë fitoren, opozita në Kosovë numëron një tjetër humbje

“Të shtunën në konstituimin e Kuvendit te Kosoves dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, Lista Serbe heshti. Madje, u shfaq si një trup i rënë shpirtërisht, pa strategji, pa motiv dhe pa peshë. Ajo dukej e çorientuar nga kriza politike në Serbi. Dhe e varfëruar nga mungesa e fuqisë së Aleksandër Vuçiqit, ajo nuk bëri as provokimin minimal që Donika Gërvalla kishte parashikuar, teksa kishte thënë publikisht se “ka spekulime që Lista Serbe do ta votojë LVV, dhe kjo sipas saj “për të na damkosur publikisht”. Në të vërtetë, Gërvalla kërkonte që të ndodhte pikërisht ajo gjë. Sepse një votë publike nga Lista Serbe do t’i shërbente vetë qeverisë për ta djegur kredibilitetin e saj më lehtë se sa nga çdo akuzë opozitare. Por edhe këtu mungoi guximi, mungoi leximi, me pak fjalë mungoi loja.

Kështu, në një seancë që duhej të ishte grackë për Vetëvendosjen, ajo u kthye në prova gjenerale për Qeverinë e re që po vjen. Opozita u shfaq si trup që as nuk befasoi, as nuk tronditi. Një konglomerat emocionesh pa rrugëdalje. Që e sheh lojën në dy dimensione, kur fusha ka shtatë” – ka shkruar Baton Haxhiu

Në politikë ka raste kur edhe një votë pro e hedhur me qëllim është më revolucionare se një fjalim i gjatë kundër. Por kur mungon kreativiteti, kur mungon ideja e befasisë, atëherë mbetesh vetëm numër në tabelë. Dhe në këtë rast, opozita ishte numër pa frymë. Një ushtri pa plan. Një front pa vijë. Një opozitë që mund të bëjë vetëm zhurmën e një reje dhe jo të rrufesë që rrëzon qeveri.

Në fund të fundit. Edhe humbja ka nevojë për dinjitet. Por ajo ishte një vetëdorëzim me duart lart para se të fillonte lufta. Të hënën, LVV-ja do të ketë një skenar të hapur. Sepse opozita ia la derën hapur. Dhe për këtë, më shumë se LVV, faji bie mbi ata që nuk guxuan të ndryshojnë rrjedhën e zakonshme të humbjes.

Nëse do ta bënin këtë, sot do flisnim për një opozitë që mendon. Tani po flasim për një opozitë që numëron. Dhe për fat të keq, numrat pa ide janë thjesht hije të vetvetes.

Lëvizja Vetëvendosje luajti Albulena Haxhiun si strategji, kurse opozitës i mbeti të numërojë një tjetër humbje, pa kuptuar se e pati në dorë rastin për fitore.

Advertisement