Connect with us

Rajon

Katastrofë diplomatike/ Vuçiç ‘përjashtohet’ nga Amerika? Rikthehet me urgjencë në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u detyrua të ndërpresë papritur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Sipas informacioneve zyrtare nga Akademia Ushtarake Mjekësore në Beograd, Vuçiç përjetoi dhimbje të forta në kraharor dhe tension të lartë, duke u detyruar të kthehej urgjentisht në vend.

Megjithatë, në sfondin e kësaj vizite, ngrihen një sërë pyetjesh të natyrës politike dhe financiare që kanë ndezur debat në Serbi dhe më gjerë. Vizita në Florida nuk ishte e paralajmëruar në mënyrë zyrtare në faqen e presidencës, ndonëse Vuçiç kishte deklaruar më herët se do të takohej me zyrtarë të lartë republikanë dhe vetë ish-presidentin Donald Trump.

Në realitet, ai nuk arriti të takohej me asnjë figurë të rëndësishme politike amerikane, me përjashtim të një takimi me ish-kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, dhe një paraqitjeje në një emision televiziv pa ndikim në mediat amerikane. Delegacioni serb u përjashtua nga darka gala e Komitetit Kombëtar Republikan, e cila mbahej në rezidencën luksoze të Trump në Mar-a-Lago – një zhvillim që për shumë analistë është cilësuar si një dështim diplomatik.

Ndërkohë, reagimet e opozitës në Serbi kanë qenë të forta. Zëdhënësi i lëvizjes “Ndryshimi”, Nikola Stanković, ngriti pyetje të rëndësishme mbi transparencën e përdorimit të mjeteve publike për një vizitë që Vuçiç e cilësoi si “private”. Ai kërkoi llogari për shpenzimet e fluturimeve, akomodimit, sigurimit dhe pranisë së mediave të afërta me pushtetin.

Kritikat kanë ardhur edhe nga BE-ja. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, deklaroi se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të mbeten të pandryshuara për një vend kandidat si Serbia, duke theksuar se vendi duhet të qartësojë drejtimin e tij strategjik.

Nga ana tjetër, vizita u interpretua nga analistët si një përpjekje e Vuçiçit për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare mes tensioneve të brendshme politike në Serbi dhe protestave në rritje. Ish-diplomati Nebojša Vujović tha se Vuçiç “e keqvlerësoi pozicionin e tij” dhe nuk u lejua të hyjë në Mar-a-Lago, pavarësisht pagesës. Sipas tij, presidenti serb po përpiqet të manovrojë mes Trump dhe Putin, por tani e ka humbur terrenin në të dyja frontet.

Në vend që të siguronte një fitore propagandistike, udhëtimi u kthye në një “fiasko të plotë”, siç e cilësoi nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Borko Stefanović. Sipas raportimeve, avionët qeveritarë, shoqëruesit, mediat e afërta dhe logjistika e përdorur kanë shkaktuar shpenzime të mëdha për një vizitë që nuk dha asnjë rezultat konkret për Serbinë.

Në prag të 9 Majit – Ditës së Fitores në Moskë, ku Vuçiç pretendonte të merrte pjesë – kjo përplasje mes ambicieve ndërkombëtare dhe realitetit diplomatik po i kushton gjithnjë e më shumë. Për analistët, dëmtimi i marrëdhënieve me Perëndimin nuk kompensohet dot me një foto me Trump apo një përshëndetje nga Putini.

Në fund të fundit, pyetja thelbësore mbetet: A ishte kjo një vizitë private, apo një përpjekje e dështuar për promovim politik personal me kosto shtetërore?

Advertisement