Connect with us

Politike

Petrit Vasili: Trump i hoqi Berishës non gratën dhe riktheu dashurinë e shqiptarëve për Amerikën

Petrit Vasili ka zbuluar se vetë Donald Trump, i paska hequr non grata-n Sali Berishës. Me këtë gjest, Vasili shkruan se Trump ka rikthyer dashurinë e shqiptarëve për Amerikën, pasi ajo ishte zbehur kur iu vendos non grata Sali Berishës.

“Shpejtësia e reagimit ndaj situatave apo çështjeve të mprehta është kjo cilësia e paarritshme e Amerikës.

Ndërsa të tjerët nëpër Europë mbeten peng i burokracive, inercive dhe tradicionalizmave anakronike, përkundrazi Amerika, sapo konstaton se një çështje apo situatë ka degraduar, ndërmerr veprime që i lënë kundërshtarët e saj gojëhapur.

Rasti i Berishës është shembulli më emblematik për këtë.

Amerika sorrosiane i shkaktoi dëme të pallogaritshme demokracisë në Shqipëri.

Askush nuk ka harruar ligësinë dhe komprometimin e thellë të deklaratave të Youri Kim, apo më tej ato të Palmerit e pastaj të Eskobarit.

Mjerisht, përmes këtyre personazheve — dhe më lart, me vetë Blinkenin — Amerika u shfaq para shqiptarëve si shkatërruese e atyre parimeve të demokracisë që vetë ajo i kishte mbrojtur dhe kultivuar më parë si askush tjetër në Shqipëri, duke mbajtur gjallë zemrën e demokracisë: pluralizmin politik.

Ambasada amerikane, që shqetësohej për kërpudhën prej porcelani te Kryeministria, dhe nuk shqetësohej fare për shkatërrimin e zgjedhjeve të lira, korrupsionin e tmerrshëm dhe kanabizimin e Shqipërisë, duke e kthyer në një narkoshtet, ishte fytyra e një Amerike që zhgënjeu thellësisht shqiptarët — popullin që më shumë se kushdo tjetër ka dashur Amerikën.

Sanksionimi i Berishës ishte kulmi i komplotit.

Nuk u shpall non grata Rama i McGonigalit, i Sinaloas, i gruas së Bilalit, i fushatës së ndyrë kundër vetë presidentit Trump, por u sanksionua Berisha, sepse banda sorrosiane duhej t’i hiqte çdo pengesë Ramës, që ai të qëndronte në pushtet dhe të vazhdonte të korruptonte.

Kjo solli atë që askush nuk e kishte menduar: një rënie dramatike të besimit të shqiptarëve te Amerika — kur dihet që shqiptarët kanë qenë populli më pro-amerikan në Europë.

Ndaj, vendimi i Trump, më shumë se vetë heqja e non gratës ndaj Berishës, është rikthimi i besimit te Amerika si një vend mbështetja e të cilit për Shqipërinë ka qenë dhe mbetet e pazëvendësueshme.

Ky vendim i Trump solli ringjalljen e besimit te demokracia dhe funksionimi i saj.

Vendimi i Trump e shpëtoi opozitën nga asgjësimi mafioz sorrosian.

Vendimi i Trump i hapi rrugën çlirimit nga narkoshteti dhe narkoqeverisja.

Vendimi i Trump solli një kohë krejtësisht të re, të paimagjinueshme pak muaj më parë për Shqipërinë.

Zoti e bekoftë Presidentin Trump dhe Amerikën — sërish të madhe në vlera dhe parime”, shkruan Vasili.

Epo urime!

Advertisement