Connect with us

Bota

10 për 70/ Hamasi pranon propozimin e SHBA-së për armëpushim në Gaza

Hamasi ka rënë dakord me një propozim të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, për një armëpushim në Gaza, duke hapur rrugën për një përfundim të mundshëm të luftës. Kjo është bërë e ditur për Reuters nga një zyrtar palestinez pranë grupit.

Propozimi i ri, i cili parashikon lirimin e dhjetë pengjeve dhe 70 ditë armëpushim, u pranua nga Hamasi nëpërmjet ndërmjetësve.

“Propozimi përfshin lirimin e dhjetë pengjeve izraelite të gjalla të mbajtura nga Hamasi në dy grupe në këmbim të një armëpushimi 70-ditor dhe një tërheqjeje të pjesshme nga Rripi i Gazës”, tha burimi për Reuters.

Propozimi parashikon gjithashtu lirimin e një numri të burgosurish palestinezë nga Izraeli, përfshirë qindra prej atyre që vuajnë dënime të gjata me burg. Ende nuk ka asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli.

Më herët ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një operacion ushtarak “të paprecedentë” kundër aftësive të grupeve të armatosura që vazhdojnë të qëllojnë me raketa drejt Izraelit nga zona Khan Younis në Rripin jugor të Gazës. IDF urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve nga lagjet Al-Qarara, Bani Suheila dhe Abasan drejt zonës Al-Maëasi, në perëndim.

Sipas njoftimit, zona konsiderohet e rrezikshme dhe janë lëshuar paralajmërime të shumta në të kaluarën. Spitalet Nasser dhe Al-Amal u përjashtuan nga urdhri i evakuimit.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, deklaroi të hënën se është “i zhgënjyer” që Hamas-i deri më tani nuk ka arritur të pranojë propozimin e tij për një marrëveshje të re për pengjet dhe armëpushimin në Gaza, raporton Axios.

Witkoff ka folur drejtpërdrejt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe këshilltarin e tij kryesor Ron Dermer, si dhe me udhëheqjen e Hamas-it përmes një kanali të fshehtë të lehtësuar nga biznesmeni palestinezo-amerikan Bishara Bahbah.

“Ajo që kam parë nga Hamas-i është zhgënjyese dhe plotësisht e papranueshme”, tha Witkoff për Axios.

Presidenti Trump tha të dielën se dëshiron t’i japë fund luftës në Gaza “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke deklaruar publikisht atë që ka thënë privatisht që nga udhëtimi i tij në Lindjen e Mesme në fillim të këtij muaji.

Zyrtarët e Hamas-it informuan mediat arabe më herët se SHBA-të kanë paraqitur një propozim të ri për një marrëveshje për pengjet dhe armëpushimin.

Propozimi përfshin një armëpushim 60-ditor me lirimin e pesë pengjeve të gjalla në ditën e parë dhe pesë pengjeve të tjera të gjalla në ditën e fundit.

Sipas pretendimeve të Hamas-it, propozimi i SHBA-ve thotë se gjatë negociatave për armëpushim, SHBA-të kanë garantuar se Izraeli do të negociojë seriozisht dhe nuk do ta rifillojë në mënyrë të njëanshme luftën siç bëri në armëpushimin e mëparshëm.

Hamas-i më pas tha në një deklaratë se pranon propozimin e ri të SHBA-ve.

Propozimi i supozuar i SHBA-ve që Hamas-i identifikoi të hënën ndryshon nga propozimi i fundit i Witkoff në numrin e pengjeve të gjalla dhe të vdekura që do të liroheshin gjatë armëpushimit dhe kohën dhe sekuencën e lirimit të tyre.

Propozimi i fundit i Witkoff përfshin lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe 19 pengjeve të vdekura në këmbim të armëpushimit prej 45-60 ditësh dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.

Witkoff pranoi për Axios po ashtu se Hamas-it nuk iu dha asnjë propozim i ri, pavarësisht pretendimeve të tyre.

Ai shtoi se Izraeli do të bjerë dakord me propozimin e tij të fundit për një armëpushim të përkohshëm dhe një marrëveshje për pengjet.

Advertisement