Politike
“Pse i lejoi shteti?”/ Rama u përgjigjet kritikave për aksionin kundër ndërtimeve pa leje

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj kritikëve të operacionit të qeverisë kundër ndërtimeve pa leje, duke theksuar se ligji nuk njeh justifikime, pavarësisht kohës kur është kryer shkelja. Në një deklaratë të fortë, Rama paralajmëroi se jo vetëm ndërtuesit pa leje, por edhe inspektorët që kanë lejuar apo injoruar shkeljet do të mbajnë përgjegjësi direkte.
“Shkelja është shkelje në çdo kohë, vepra penale është vepër penale. Nuk ka arsye të thuash ‘pse nuk e ndaloi shteti më herët’. Po tani është kapur dhe tani do të mbajë përgjegjësi,” u shpreh Rama.
Ai kritikoi edhe ata që përpiqen të justifikojnë ndërtimet pa leje duke akuzuar vetëm qytetarët, duke shtuar se edhe zyrtarët lokalë dhe inspektorët që kanë mbyllur sytë, duhet të përballen me ligjin.
“Jam dakord me njerëzit që thonë: këta i bënë ndërtimet, po ata tjerët që i panë, që i lanë? Këto nuk janë ndërtesa në fund të botës, por në sy të të gjithëve. Të gjithë do të jenë pjesë e një zinxhiri përgjegjësie të ndarë. Çdo zonë do të ketë përgjegjësinë e vet të drejtpërdrejtë,” shtoi kryeministri.
Rama i cilësoi disa nga aktet e inspektorëve si “paçavure që duhen çuar në shkolla riedukimi”, duke iu referuar vendimeve të tyre për të certifikuar ndërtime të paligjshme, veçanërisht në qytetin e Vlorës.
“Paçavuret që certifikojnë çdo lloj shkeljeje nga inspektorët analfabetë në Vlorë, nuk do të jenë më të mundura. Inspektorët që firmosin në mënyrë të paligjshme do të dënohen drejtpërdrejt,” deklaroi ai.

