Kosova
Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në mbrojtjen e Thaçit: Shqiptarët janë vrarë vetëm se ishin shqiptarë të Kosovës

Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, në një dëshmi të mbajtur sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, solli në vëmendje një nga dimensionet më të errëta të luftës në Kosovë: faktin se shqiptarët po vriteshin nga forcat serbe vetëm për shkak të etnisë së tyre. Ai theksoi se qëllimi i politikës amerikane asokohe kishte qenë i qartë parandalimi i përsëritjes së skenarit tragjik të Bosnjës. “Donim të ishim në anën e viktimave”, deklaroi Rubin, duke i dhënë një ton të fortë moral ndërhyrjes ndërkombëtare.
Në seancë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, i kërkoi atij të sqaronte rreth motiveve që kishin shtyrë ndërhyrjen e SHBA dhe aleatëve në Kosovë. Rubin solli një pasqyrë të dhimbshme të raportimeve të kohës:
“Na shqetësonin shumë raportet që merrnim, familje që vriteshin, që u digjeshin shtëpitë, dhe vriteshin thjesht sepse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo filloi të ngjasonte me krizën e Bosnjës, ku u vranë njerëz e u masakruan thjeshtë për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka që kishin bërë dhe filluam të shihnim që po shfaqej e njëjta politikë, e njëjta gjë, dhe kjo na bëri të vepronim, ata ishin viktima, jo vetëm se ishin të shtypur me dhjetra vite, por po masakroheshin nga forcat ushtarake serbe, dhe ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë, ky ishte qëllimi i politikës sonë – të parandalonim të përsëritej e njëjta gjë.”
Dëshmitari e theksoi se në qendër të veprimeve të diplomacisë amerikane qëndronte mbrojtja e civilëve të pafajshëm. Ai kujtoi me krenari ndërhyrjen në Bosnjë, ku sipas tij ishte ndalur një luftë e përgjakshme dhe ishte hapur rruga për një shoqëri më tolerante. E njëjta frymë, sipas Rubin, ishte udhërrëfyese edhe për Kosovën:
“Pas Bosnjës ku menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante, të mos ishte kaotike, ne ishim krenarë për këtë që bëmë, dhe pamë situatë të re në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim të ishim në anën e engjëjve themi ne, në anën të mirëve, nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste islamiste. Në këtë kohë Amerika ishte superfuqi, donim të ishim në anën e viktimave… Ne nuk donim të bënim operacione ushtarake apo të harxhonim me miliarda dollarë për persona apo organizata që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht. Këta janë persona pa pushtet, këta ishin viktima, ne takoheshim me ta, ndërkohë ata ishin viktimat e një shtypësi. Ishin persona që ishin në anën e kundërt të pushtet në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim që të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit.”
Përpara trupit gjykues, Rubin sqaroi edhe rolin e tij personal në atë periudhë delikate, duke kujtuar se midis viteve 1997-2000 kishte shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike, por edhe si zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit përballë mediave dhe botës. Ai dëshmoi se raportimet e tij shkonin drejtpërdrejt tek Sekretarja Madeleine Albright, figura kryesore e diplomacisë amerikane të asaj kohe.

