Connect with us

Politike

Michel Tarran takohet me kreun e SPAK: OSBE po përgatit trajnim të ri për luftën kundër korrupsionit

Michel Tarran, Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Në këtë takim ata folën për një angazhim të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky lajm u bë i ditur nga vetë Prezenca e OSBE-së në Tiranë përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Përmes këtij postimi vihet theksi tek kontributi thelbësor i SPAK-ut në forcimin e shtetit të së drejtës, përmes ndjekjes penale të korrupsionit, rritjes të integritetit, transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësis

Postimi i plotë:

Ambasadori Michel Tarran u takua sot me drejtuesin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, për të ripohuar bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv midis Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe SPAK-ut. Ambasadori Tarran theksoi kontributin thelbësor të SPAK-ut në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, përmes ndjekjes penale të korrupsionit, rritjes të integritetit, transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si edhe nënvizoi rolin e rëndësishëm të SPAK-ut në adresimin e krimit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Tarran dhe Dumani diskutuan për fushat aktuale dhe të ardhshme të bashkëpunimit dhe shkëmbyen mendime mbi mënyrat se si mbështetja e OSBE-së mund të bëhet edhe më e prekshme dhe e përshtatur ndaj objektivave strategjikë të institucionit. Gjithashtu, ambasadori Tarran theksoi gatishmërinë e Prezencës për të zhvilluar një punë gjithëpërfshirëse me një gamë të gjerë institucionesh për adresimin e përqindjes së lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Po ashtu, Prezenca po përgatit një trajnim të ri për parandalimin e pastrimit të parave, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional në hetimet komplekse.

Që nga viti 2021, Prezenca bashkëpunon ngushtë me SPAK-un dhe aktorë të tjerë gjyqësorë përmes projektit të saj rajonal të monitorimit të proceseve gjyqësore, duke analizuar efektivitetin e reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bashkëpunimet e fundit kanë përfshirë edhe trajnime e tryeza të specializuara për veprat penale të lidhura me prokurimet publike, për kërkimin ligjor dhe kontratat e partneritetit publik-privat.

Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar ndaj institucioneve të drejtësisë në Shqipëri në çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

Advertisement