Aktualitet
Trump trazon qetësinë: Nuk jam i detyruar të mendojë për paqen
Donald Trump ka deklaruar se nuk ndihet më “i detyruar të mendojë vetëm për paqen”, në një letër të pazakontë dhe shqetësuese drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, mes rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës lidhur me Groenlandën.
Letra, e cila sipas PBS News është shpërndarë edhe te disa ambasadorë evropianë në Washington nga stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, përmban deklarata të ashpra dhe pretendime të forta gjeopolitike.
“Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për faktin se kam ndalur tetë luftëra e më shumë, nuk ndjej më asnjë detyrim të mendoj vetëm për paqen”, shkruan Trump. “Paqja do të mbetet gjithmonë dominuese, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Në letër, Trump vë drejtpërdrejt në pikëpyetje sovranitetin e Danimarkës mbi Groenlandën, duke argumentuar se Kopenhaga nuk është në gjendje ta mbrojë territorin nga Rusia apo Kina.
“Pse duhet të kenë ata ‘të drejtën e pronësisë? Nuk ka dokumente të shkruara – vetëm fakti që një anije zbarkoi aty qindra vite më parë. Edhe ne kemi pasur anije që kanë zbarkuar atje”, shkruan ai.
Presidenti amerikan thekson gjithashtu rolin e tij në Aleancën Atlantike, duke deklaruar se ka bërë “më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj” dhe se tani, sipas tij, “NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”.
Letra përmbyllet me një deklaratë që ka shkaktuar shqetësim në qarqet diplomatike evropiane: “Bota nuk është e sigurt nëse ne nuk kemi kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën.”
Kjo letër vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre deklaroi se “kërcënimet nuk kanë vend mes aleatëve”, në reagim ndaj njoftimeve të Trump për tarifa të reja dhe retorikës gjithnjë e më konfrontuese ndaj Evropës.