Connect with us

Bota

PLANI I MADH PER TE SULMUAR IRANIN

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë seriozisht opsione ushtarake kundër Iranit, përfshirë një plan për sulme ajrore në shkallë të gjerë ndaj objektivave të regjimit dhe Gardës Revolucionare, raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë me dijeni për diskutimet.
Sipas raportimit, presidenti Donald Trump ka marrë informime të detajuara mbi skenarë të mundshëm sulmi, të hartuar bashkërisht nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni.
Mes tyre është edhe i ashtuquajturi “plani i madh”, që parashikon një fushatë intensive bombardimesh kundër infrastrukturës kyçe të regjimit iranian dhe strukturave të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Opsione të tjera përfshijnë goditje më të kufizuara ndaj objektivave simbolike të regjimit, me mundësinë e përshkallëzimit nëse Teherani refuzon të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, si dhe masa jo-kinetike, përfshirë sulme kibernetike ndaj bankave iraniane ose shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike të disa vendeve të Lindjes së Mesme për të shtyrë SHBA-të dhe Iranin drejt negociatave kanë dështuar.

Egjipti, Katari, Omani, Arabia Saudite dhe Turqia kanë tentuar ndërmjetësimin, por sipas burimeve të Wall Street Journal, hendeku mes qëndrimeve të Washington-it dhe Teheranit mbetet i pakapërcyeshëm.
Irani ka kundërshtuar ashpër kushtet amerikane dhe ka paralajmëruar se, në rast sulmi nga SHBA, objektiva amerikane dhe aleate në të gjithë rajonin do të konsideroheshin “objektiva legjitime”.
Paralelisht, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në rajon, duke dislokuar një grup aeroplanmbajtës, skuadrilje avionësh luftarakë dhe sisteme shtesë mbrojtjeje ajrore.
Presidenti Trump ka paralajmëruar publikisht se “koha po mbaron” për Iranin që të pranojë një marrëveshje, duke theksuar se një dështim diplomatik mund të çojë në një përplasje ushtarake shumë më të rëndë sesa goditjet e mëparshme, raporton Wall Street Journal.

Advertisement