Aktualitet
Zbulohet ndotje fekale në një kopsht, të prekur fëmijë dhe të rritur
Shqetësim për sigurinë e ujit të pijshëm në Vlorë, pasi analizat laboratorike të kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10 kanë evidentuar prani të ndotjes fekale. Paralelisht, në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve që paraqiten me simptoma diarreje, mes tyre fëmijë dhe të rritur.
Situata është bërë shqetësuese pas rasteve të fëmijëve që kanë shfaqur probleme shëndetësore, dyshohet pas konsumimit të ujit në ambientet e kopshtit.
Sipas informacioneve të siguruara, analizat e para të mostrave të marra nga depozita e institucionit kanë evidentuar prani të amoniakut dhe mungesë të klorit. Ndërsa rezultatet e fundit kanë zbuluar edhe ndotje fekale, duke ngritur alarmin për rrezikun e mundshëm shëndetësor.


Prania e baktereve si E. coli në ujin e pijshëm është një tregues i mundshëm i ndotjes fekale dhe mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët dhe personat e ndjeshëm.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Vlorës është konstatuar shtim i rasteve me simptoma gastrointestinale, kryesisht diarre. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes ndotjes së konstatuar në depozitën e kopshtit dhe rasteve të paraqitura në spital.
Sipas të dhënave, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Vlorë po monitoron situatën dhe po kryen analiza të ujit çdo dy orë.
Nga ana tjetër, uji i marrë drejtpërdrejt nga rrjeti i ujësjellësit ishte raportuar i pastër në analizat e mëparshme, ndërsa rezultatet nga depozita e kopshtit kanë ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e ujit që është konsumuar në këtë institucion.
Qytetarët presin tashmë një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar nëse furnizimi me ujë në qytet është i sigurt për konsum, si dhe për masat që do të merren për të shmangur rrezikun e përhapjes së infeksioneve.