Rajon
Vuçiç kërkon nga Sorensen angazhim më aktiv të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se është takuar në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, për vazhdimin e dialogut me një angazhim më aktiv të bllokut.
“Jam i bindur se është në interesin e të gjitha palëve të shmangen veprimet që do të çonin në përshkallëzim të mëtejmë dhe që, me ndërmjetësimin e BE-së, të këmbëngulet në zbatimin e plotë të obligimeve të marra dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram më 25 shkurt.
Vuçiç gjatë takimit me emisarin evropian përsëriti kritikat ndaj bashkëpunimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se me këtë “rriten më shumë tensionet dhe rrezikohet siguria e popullit serb”.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në mars të vitit të kaluar një deklaratë në të cilën thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, teksa Vuçiq e përshkroi këtë si një “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”, gjë që u mohua nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi.
Vuçiq gjithashtu “shprehu shqetësim” lidhur me Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, zbatimi i plotë i të cilit në Kosovë pritet të nisë më 15 mars.