Politike
Berisha: Rama na e hodhi dorashkën ne dhe BE-së
Kryetari i Sali Berisha u shpreh se Edi Rama ka përdorur pushtetin e tij në mënyrë kriminale dhe ka shpërfillur interesin publik, duke i “hedhur dorashkën” edhe Bashkimit Europian. Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha bëri thirrje që intelektualët, mësuesit, mjekët dhe pedagogët të ngrihen për të mbrojtur interesin publik.
Berisha theksoi se kjo ndihmon dhe qytetarët që të kuptojnë pasojat e qeverisjes së Ramës, duke e quajtur atë një organizatë kriminale dhe një diktaturë që përdor korrupsionin dhe drogën për të mbajtur pushtetin.
“Për ta mbyllur këtë bisedë, duke ju falënderuar përzemërsisht për pyetjet, komentet dhe çështjet që ngritët, ju ftoj në mënyrë më miqësore të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të bindur çdo qytetar shqiptar që rri në heshtje, që konformohet, të dalë nga heshtja e tij, të dalë nga konformizmi i tij. Kurrë ndonjëherë në një vend me pluralizëm, ato që ka bërë Edi Rama kreu i organizatës kriminale nuk i ka bërë njeri. Është detyra jonë të dashur demokrate e demokratë, militante e militantë, të bindim qytetarët, të heqim para syve të tyre, perden e tmerrshme që i pengon të shohin, murin e korrupsionit që ka ngritur Edi Rama para tyre.
Me durim t’u shpjegojmë se cilat janë pasojat katastrofale të mburojës Balluku. Se me mburojën Balluku, Edi Rama u tha shqiptarëve si askush tjetër, që unë ju kam vjedhur, do ju vjedh e do u vjedh dhe se për mua nuk ka ligj. Të ulemi me çdo qytetar që ka fëmijët e tij jashtë vendit, të shpjegoni se ata kanë ikur, jo se Shqipëria është vend shkretëtirë. Shqipëria është vendi më i pasur në pasuri natyrore, por është vendi më i plaçkitur, më i vjedhur, është vendi në të cilin qeveritarët ndajnë fondet publike dhe pasuritë me familjarët e tyre dhe me njëri tjetrin. Me hallat, me tezet, nipat, mbesat me të gjithë. Është vendi në të cilin droga bën ligjin, është vendi në të cilin ligji nuk ekziston për zyrtarët dhe qeveritarët. Me 4 mijë rrënjë kanabis u gjet drejtori i burgut të Peqinit. 4 mijë rrënjë kanabis mbillte drejtori dhe ua shiste sa frëngu pulën të burgosurve drogën e tij.
Ku është? Është i lirë, nuk ka ligj për qeveritarët. Është i lirë, por pse? Sepse paratë i ndante me ministrin, i ndante me Agasin, i ndante me kryeministrin.
Unë dhashë vetëm këtë shembull, por ka sot me qindra e qindra shembuj të tjerë.
Sot toka publike merret e përvetësohet. Me 4 vendime të Edi Ramës është marrë toka e dhuruar nga pronarët fisnikë të Tiranës për gjimnaz, komunitetit, është marrë dhe i është dhënë Karlo Bolinos, një sikari, një xhelati të fjalës së lirë.
Një xhelati mafioz të fjalës së lirë, që shkarkon një nga gazetarët më të njohur të vendit sepse guxoi të thotë, më thoni një vepër publike të kësaj qeverie që qëndron. I gjendur para faktit të një shembje të 17 rrugëve, të gjitha rrugëve të ndërtuara gjatë këtyre viteve, dhe si atdhetar, si patriot shtroi një pyetje. Pra është koha jo të rrahim gjoksin këtyre qytetarëve, por të ulemi me njerëzi, të ulemi me ta. Ti ftojmë të bashkohen me ne.
Është koha që çdo intelektual të ulet me kolegun e tij, pavarësisht nga bindjet politike. Të ndalojë në faktin se, cili është roli i intelektualit, misioni i tij ne një shoqëri. Sa herë që ta shqyrtojë, ai nuk duhet të harrojë, pavarësisht nga pasioni që ai ka, për të sëmurin dhe mjekësinë, për fizikën, për matematikën, për informatikën, për biologjinë dhe shkencat që aplikon. Në fund të gjithë kontributet e tij, të mos harrojë kurrë se aty është profesionist, kurse si intelektual ai ka mision të përgjithshëm mbrojtjen e interesit publik. Ai i duhet popullit të tij për të mbrojtur interesin publik të popullit të tij. Sepse ai është shkolluar, ai është mbështetur nga ky popull pikërisht për të qenë avokat i tij. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që këtë diktuturë, që Edi Rama hodhi dorashkën, na e përplasi në fytyrë dorashkën, përdori 83 mandatet e krimit dhe tha, nuk ju pyes unë ju, Lubia jam unë tha dhe drejtësia nuk ekziston për ne.
Nuk na e bëri vetëm ne këtë, ua bëri partnerëve tanë më kryesorë. Nuk na e bëri vetëm ne këtë, ia bëri BE-së dhe i deklaroi se, unë nuk e dua këtë rrugë integrimi, unë dua rrugën e Vuçiçit. Unë vërtetë u premtova shqiptarëve pasaportën Europiane, por tani do të ju jap pasaportën e Serbisë atyre, sepse më duhet të qëndroj në pushtet. Atëherë, a ka mundësi, intelektual që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate. A ka mësues që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate. A ka mjek që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate. A ka pedagog që mund të qëndrojë indiferent para kësaj situate. Unë besoj se në rast se ne ulemi në dialog, ne do të ndihmojmë shqiptarët që të marrin vendimet e duhura. Me 17 Prill është dita e shqiptarëve, është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria. Faleminderit,” tha Berisha