Connect with us

Kosova

“Zgjodhët Perëndimin kundër Serbisë”/ Vuçiç ndez Ballkanin, peng njohja e Kosovës

Ndërhyrja publike e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, drejtuar qytetarëve të Malit të Zi përmes një letre të hapur të publikuar nga portali malazez Borba, konsiderohet një tjetër tregues i vazhdimit të tensioneve politike dhe identitare mes Beogradit dhe Podgoricës.

Mesazhi i presidentit serb vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet dypalëshe, të cilat vazhdojnë të ndikohen nga çështja e Kosovës, orientimet e ndryshme gjeopolitike të dy vendeve dhe ekuilibri më i gjerë i forcave në Ballkanin Perëndimor.

Në letrën e tij, Vuçiç përpiqet ta paraqesë Serbinë si faktor stabiliteti në raportet me Malin e Zi, duke argumentuar se Beogradi ka pranuar të gjitha vendimet strategjike të Podgoricës, nga shpërbërja e unionit shtetëror deri te anëtarësimi në NATO. Në të njëjtën kohë, ai akuzon një pjesë të elitës politike dhe mediatike malazeze se i qaset Serbisë përmes një logjike konfrontimi dhe mosbesimi të vazhdueshëm.

Një nga elementët më të spikatur të letrës ishte fraza: “Na falni që ju deshëm më shumë sesa ju na deshët ne”, përmes së cilës presidenti serb synon të theksojë lidhjet historike, kulturore dhe shoqërore mes dy popujve. Retorika me ngarkesë emocionale pasqyron përpjekjen afatgjatë të Beogradit për të ruajtur ndikimin politik dhe kulturor te komuniteti serb në Mal të Zi, pa vënë drejtpërdrejt në diskutim sovranitetin e vendit.

Vuçiç hodhi poshtë gjithashtu akuzat për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi, duke insistuar se Beogradi nuk ka vënë kurrë në dyshim integritetin territorial të fqinjit të tij. Megjithatë, ai riktheu në qendër njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi në vitin 2008, duke e paraqitur atë si një vendim që, sipas këndvështrimit serb, ka qenë në kundërshtim me interesat kombëtare të Serbisë.

Nga ana tjeter, Mali i Zi i është përgjigjur deklaratave provokuese të Aleksandar Vuçiqit, duke theksuar se ky shtet “nuk është shkëputur nga Serbia dhe se kurrë nuk ka qenë pjesë e saj”.

Autoritetet malazeze theksuan se Mali i Zi ka histori shtetërore dhe identitet të veçantë shumë përpara krijimit të shtetit modern serb.

Në reagimin zyrtar thuhet se Mali i Zi ishte një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe se pas vitit 1918 ai humbi pavarësinë në rrethana historike të diskutueshme, ndërsa referendumi i vitit 2006 përfaqësonte rikthimin e sovranitetit shtetëror.

Zyrtarët malazezë akuzuan Vuçiqin për shtrembërim të historisë dhe për përdorim të retorikës nacionaliste ndaj vendeve fqinje të rajonit.

Ata shtuan se marrëdhëniet mes dy shteteve duhet të bazohen në respekt reciprok dhe njohje të sovranitetit.

Ndërhyrja e presidentit serb rikthen gjithashtu debatin e kahershëm mbi identitetin kombëtar të Malit të Zi modern. Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2006, vendi ka tentuar të balancojë forcimin e identitetit të vet shtetëror dhe kombëtar me ruajtjen e lidhjeve historike e shoqërore me Serbinë. Në këtë kontekst, Vuçiç kërkoi respekt për gjuhën serbe dhe simbolet kombëtare serbe, duke iu referuar komunitetit të madh serb në vend.

Ndërhyrja e Vuçiçit nuk sinjalizon një krizë të menjëhershme diplomatike, ajo pasqyron vazhdimin e një përballjeje politike të përqendruar gjithnjë e më shumë te ndikimi, identiteti dhe simbolika gjeopolitike. E ardhmja e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Podgoricës pritet të varet nga zhvillimet e brendshme politike në të dy vendet, si edhe nga dinamika më e gjerë gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Advertisement