Sport
Goditje e papritur, zyrtarizimi i Murinjos te Reali i Madridit mjegullohet në momentin e fundit
E ardhmja e Zhoze Murinjos në stolin e Realit të Madridit vazhdon të mbetet e paqartë, teksa vendimi final për rikthimin e tij lidhet ngushtë me zgjedhjet presidenciale në klubin madrilen.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, drejtuesit e Realit të Madridit kanë përgatitur një kontratë dyvjeçare për teknikun portugez, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër në rast se skuadra shpallet kampione në La Liga. Megjithatë, marrëveshja nuk mund të zyrtarizohet pa u konfirmuar më parë rizgjedhja e presidentit aktual, Florentino Perez.
Ndërkohë, Murinjo thuhet se ka dorëzuar një raport të detajuar për merkaton e verës, ku kërkon ndërhyrje të menjëhershme në repartin e mbrojtjes dhe në mesfushë. Në listën e lojtarëve që mund të largohen përfshihen emra si Eduardo Kamavinga dhe Dani Sebajos.
Në të njëjtën kohë, situata e Antonio Rudiger mbetet ende e paqartë, pasi kontrata e mbrojtësit gjerman skadon më 30 qershor dhe ende nuk ka një marrëveshje të re mes palëve.
Për të siguruar rikthimin e Murinjos në “Santiago Bernabéu”, Reali i Madridit pritet të paguajë një dëmshpërblim që mund të arrijë deri në 14 milionë euro.
Gjithçka pritet të marrë një drejtim më të qartë pas 7 qershorit, datë kur Florentino Perez do të përballet në zgjedhje me kandidatin Enrike Rikelme. Ky i fundit ka shprehur publikisht rezerva për rikthimin e Murinjos, duke mbështetur më shumë një projekt afatgjatë për të ardhmen e klubit madrilen.
Mbetet për t’u parë nëse “The Special One” do të rikthehet sërish në pankinën e Realit të Madridit.