Politike
Presidenti i KE konfirmon vizitën në Shqipëri, ja kur vjen në Tiranë
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të zhvillojë javën e ardhshme një vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, në kuadër të një turi zyrtar që do të zgjasë nga 1 deri më 5 qershor, me ndalesa në disa kryeqytete të rajonit.
Fokusi kryesor i vizitës së tij do të jetë Tirana, ku më 2 qershor ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Republikës Bajram Begaj.
Në qendër të diskutimeve në Tiranë pritet të jenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimi gradual i vendeve të rajonit, bashkëpunimi rajonal si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.
“Turi im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momenti është aty. Tani është koha për të vepruar dhe për të sjellë rezultate”, tha Costa.
Pas vizitës në Shqipëri, Costa do të vijojë turin e tij në Shkup, Prishtinë dhe Beograd, ku do të zhvillojë takime me liderët shtetërorë dhe përfaqësues të institucioneve.
Më 5 qershor, ai do të bashkëdrejtojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, i cili këtë vit do të fokusohet në temën “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.