Bota
“Kievi do bëhet shumë i rrezikshëm”/ Moska kërcënon, SHBA dhe BE refuzojnë të largohen
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ambasada amerikane në Kiev do të vijojë të qëndrojë e hapur, pavarësisht paralajmërimeve të forta të Rusisë se diplomatët dhe qytetarët e huaj që ndodhen në kryeqytetin ukrainas rrezikojnë të jenë objektiv i sulmeve me raketa.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, ambasada amerikane hodhi poshtë raportimet për ndryshim të operacioneve diplomatike në Ukrainë.
“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në operacionet tona dhe çdo raport që thotë të kundërtën është i rremë. Departamenti i Shtetit nuk ka përparësi më të lartë se siguria e qytetarëve amerikanë dhe rishikon rregullisht masat e sigurisë në ambasadën në Kiev”, thuhet në deklaratë.
Paralajmërimi i Moskës erdhi fillimisht nga Ministria e Jashtme ruse, e cila u bëri thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur” nga Kievi, duke pretenduar se kryeqyteti ukrainas ndodhet përballë një rreziku të lartë sulmesh.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e kishte paralajmëruar personalisht se Kievi “do të bëhet një vend shumë i rrezikshëm”. Rubio shtoi se personeli diplomatik amerikan është informuar për nivelin e shtuar të kërcënimit, por pa konfirmuar nëse do të ketë evakuim të ambasadës.
Ndërkohë, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, theksoi se paralajmërimi i Moskës është “shumë serioz”.
Në të njëjtën linjë me Uashingtonin janë rreshtuar edhe disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat kanë refuzuar të tërheqin stafet diplomatike nga kryeqyteti ukrainas. Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, deklaroi se “Bashkimi Evropian nuk do të largohet që këtej” dhe se përfaqësuesit europianë do të vijojnë të qëndrojnë në Kiev.
Po ashtu, Bashkimi Evropian thirri në Bruksel të ngarkuarën me punë të Rusisë, duke i kërkuar Moskës të ndalojë sulmet ndaj civilëve dhe të angazhohet në bisedime reale për paqe, duke nisur me një armëpushim të plotë dhe pa kushte.
Tensionet janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit. Fundjavën e kaluar, Rusia lëshoi më shumë se 80 raketa drejt kryeqytetit ukrainas, ku sipas autoriteteve ukrainase humbën jetën të paktën dy persona dhe 87 të tjerë mbetën të plagosur.