Connect with us

Rajon

Trumpi shpërndan intervistën e Vuçiçit: Jam shumë më popullor në Serbi se çdo lider tjetër i SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpërndarë në platformën Truth Social një intervistë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të dhënë për median e krahut të djathtë ‘Breitbart News’ që mbështet Trumpin.
Ai ka shpërndarë intervistën ku Vuçiçi e ka cilësuar Trumpin si liderin më popullor amerikan në Serbi përgjatë dekadave të fundit, teksa i ka bërë ftesë zyrtare Trumpit për të vizituar Beogradin – diçka që nuk ka ndodhur nga një president amerikan që prej vizitës së Richard Nixon në tetor të vitit 1970.
Gjatë intervistës së zhvilluar në zyrën e tij në Beograd, ai ka deklaruar se mbështetja për Trumpin në Serbi ka kaluar 75 për qind. Vuçiçi ka garantuar se nëse Trumpi shkon në Serbi, do të pritet nga turma më e madhe që ka parë ndonjëherë në jetën e tij, duke premtuar t’i nxjerrë mbi 100.000 njerëz nëpër rrugët e Beogradit.
Presidenti Vuçic, tha se Serbia e kupton vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe shtoi se kreu i Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtorët e tij janë të gatshëm “ta dëgjojnë qëndrimin e Serbisë”.
Presidenti i Serbisë – shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që ruan edhe lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën – tha se “marrëdhënia unike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë si përparësi kyç për stabilitetin dhe rritjen e gjithë kontinentit”.
“Simpatia e Serbisë ndaj SHBA-së është rritur, ndryshe nga pjesa më e madhe e establishmentit evropian, që e sheh filozofinë ‘Amerika e Para’ me një përzierje hutimi dhe armiqësie. Nga ana tjetër, qytetarët e Serbisë e shohin Trumpin si paqebërës dhe Serbia sheh tek ai një lider që vlerëson sovranitetin kombëtar përballë burokracisë pa fytyrë- deklaroi Vucic.

 

 

Advertisement