Shkrime
Lumiri dhe Vjosa në tavolinën e Kurtit, ndërsa LDK po ua heq karriget
Baton Haxhiu
LDK po negocion me Albin Kurtin, ndërsa brenda saj po zhvillohet beteja për t’i rrëzuar pikërisht ata që sot flasin në emër të saj. Vjosa Osmani po përpiqet ta mbajë në këmbë Lumir Abdixhikun, sepse rruga e saj drejt presidencës kalon përmes tij. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë delegatë të LDK-së po shtrojnë një pyetje shumë më të rëndë se vetë negociatat me Kurtin: a flasin ende Lumiri dhe Vjosa në emër të LDK-së, apo kanë mbetur të flasin vetëm në emër të vetes?
Një delegat i Degës së Prishtinës po debatonte gjatë me Vjosa Osmanin. Ai tashmë e kishte vendosur nënshkrimin e tij në peticionin që kërkon largimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së. Vjosa përpiqej ta bindte ta tërhiqte nënshkrimin. Delegati nuk lëkundej. Ajo këmbëngulte. Ai i përgjigjej se problemi nuk ishte më vetëm një njeri, por drejtimi që kishte marrë partia dhe humbjet që po shndërroheshin në normalitet.
Vetëm pak orë më vonë, e njëjta Vjosa Osmani u ul në tavolinën e Albin Kurtit, krah për krah me Lumir Abdixhikun, në konsultimet për formimin e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa Lumir Abdixhiku përpiqej të paraqitej si përfaqësuesi legjitim i LDK-së në dialogun me kryeministrin, brenda partisë së tij vazhdonte të rritej peticioni për largimin e tij. Ndërsa Vjosa Osmani po mbronte mbijetesën politike të Lumirit, në të njëjtën kohë po ruante edhe rrugën e saj drejt një mandati të ri presidencial.
Sipas burimeve brenda LDK-së, peticioni për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm ka arritur tashmë në rreth 157 nënshkrime dhe synon pragun prej 176 delegatëve. Në këtë proces janë përfshirë figura të njohura të partisë si Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Armend Zemaj, Përparim Rama dhe një grup deputetësh, të cilët nuk e shohin më krizën si një debat rreth rezultatit zgjedhor, por si një krizë të lidershipit dhe të drejtimit politik të LDK-së.
Në anën tjetër, disa degë të rëndësishme si Ferizaj, Kaçaniku, Gjilani, Vitia dhe Vushtrria vazhdojnë të mbajnë një qëndrim neutral, duke mos dashur ta kthejnë përplasjen në një ndarje të pakthyeshme të partisë. Pikërisht kjo e bën edhe më dramatike situatën. Sepse askush nuk po lufton më për një votë në zgjedhje. Të gjithë po luftojnë për legjitimitetin moral për ta përfaqësuar LDK-në.
Dhe këtu lind pyetja që nuk mund të shmanget.
Kë përfaqësojnë sot Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani?
A përfaqësojnë shumicën e LDK-së, apo vetëm një aleancë të përkohshme që ka nevojë për njëri-tjetrin?
Sepse është e vështirë të mos krijohet përshtypja se interesat e tyre janë bërë të ndërvarura. Lumirit i duhet Vjosa për të mbijetuar politikisht brenda LDK-së. Vjosës i duhet Lumiri për të mos humbur urën që e çon drejt një mandati të dytë presidencial. Kjo nuk është më një aleancë e ndërtuar mbi vizionin për partinë. Është një aleancë e ndërtuar mbi nevojën për mbijetesë politike.
Kjo gjendje prodhon edhe një iluzion tjetër, ndoshta edhe më të rrezikshëm. Kur një lider fillon ta humbasë besimin se mund të bindë publikun dhe partinë e vet, ai shpesh fillon të besojë se mund ta kompensojë këtë mungesë duke ndërtuar ura me periferinë e pushtetit. Kështu lindin negociatat anësore me motrën e Albulena Haxhiut, këto kontakte informale dhe bindja se qendra e vendimmarrjes mund të arrihet përmes njerëzve që rrinë pranë saj, e jo përmes vetë qendrës.
Në këtë frymë janë lexuar edhe kontaktet e njerëzve pranë Lumir Abdixhikut me persona që nuk janë vetë vendimmarrësit politikë, por pjesë e rrethit të tyre familjar apo shoqëror. Edhe nëse këto kontakte ekzistojnë, ato nuk tregojnë forcë politike. Përkundrazi, tregojnë një gjendje ku krijohet iluzioni se pushteti mund të negociohet me periferinë e tij, ndërsa qendra e pushtetit mbetet e paarritshme.
Ky është zakonisht momenti kur një lider nuk po ndërton më strategji. Po kërkon rrugëdalje.
Dhe ndoshta kjo është fotografia më e trishtë e këtij momenti. Njëri po përpiqet të mbijetojë brenda partisë së vet. Tjetra po përpiqet të mbijetojë në presidencë. Ndërsa të dy po krijojnë përshtypjen se rruga drejt pushtetit nuk kalon më nga qytetari dhe delegati, por nga korridoret anësore të pushtetit.
Dhe pikërisht këtu fillon absurdi.
Një parti që po kërkon të negociojë për të ardhmen e Kosovës, nuk e ka të qartë nëse ata që ulen në emër të saj do të jenë ende përfaqësuesit e saj pas pak javësh.
Një kryetar negocion me Albin Kurtin, ndërkohë që delegatët e partisë së tij mbledhin nënshkrime për ta shkarkuar.
Një presidente lobon për mbijetesën e kryetarit të LDK-së, ndërkohë që shumëkush brenda partisë beson se ajo po mbron më shumë rrugën e saj drejt presidencës sesa fatin e LDK-së.
Dhe ndërsa këta të dy ulen përballë Albin Kurtit për të folur në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nën këmbët e tyre po gërryhet çdo ditë e më shumë e drejta morale për ta bërë këtë.
Në politikë ekziston një moment kur njeriu vazhdon ta mbajë funksionin, por nuk mban më besimin. Ai moment është gjithmonë më i rrezikshmi, sepse nga jashtë gjithçka duket normale, ndërsa nga brenda institucioni ka filluar të zbrazet.
Dhe ndoshta ky është paradoksi më i madh i kësaj dite.
Në sallën ku po diskutohet e ardhmja e institucioneve të Kosovës, LDK-ja përfaqësohet nga dy njerëz që mund të mos përfaqësojnë më të ardhmen e vetë LDK-së.
Nëse ky nuk është absurdi më i madh politik i këtij viti, atëherë vështirë të gjendet një tjetër. Sepse rrallë ndodh që një parti të negociojë për fatin e republikës me njerëz, fati i të cilëve brenda partisë është shumë më i pasigurt se vetë qeveria që po përpiqen të ndërtojnë.