Kosova
Amerikanët me Dialogun Strategjik, i hodhën komerdare shpëtimi Aleksandër Vuçiçit
Daniel Server, analist dhe profesor nga Universiteti John Hopkins në Uashington, i tha medias serbe se nisja e dialogut strategjik midis SHBA-së dhe Serbisë është një “hap i madh”, por se ai “nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë prej saj” dhe se “shumë gjëra do të varen nga rrethanat”, por se dialogu strategjik është një “arritje e madhe parazgjedhore” për Vuçiçin.
“Mendoj se është mjaft e habitshme të organizosh diçka të tillë vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Vuçiçin, i cili kujtojme se u ankua me hidhërim se amerikanët po përpiqeshin të mbështesnin një revolucion me ngjyra kundër tij” – deklaroi Server.
“Duhet pare nese amerikanet janë të gatshëm të injorojnë gjëra të tilla si rritja e shtypjes dhe sjellja autokratike e Vuçiçit, sjellja e Beogradit në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës, si dhe sulmin ndaj anëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë në veri të Kosovës”, theksoi Server.
Server vlerësoi gjithashtu se “Uashingtoni nuk dëshiron asgjë më shumë nga Ballkani përveç stabilitetit dhe sheh që Beogradi ka kapacitetin për të destabilizuar rajonin”.
“Kjo është arsyeja pse SHBA është e gatshme të injorojë sjelljen e Vuçiçit në politikën e brendshme dhe të përpiqet ta bindë atë të bashkëpunojë në çështjet ndërkombëtare, në mënyrë që ta pengojë presidentin serb të destabilizojë situatën në veri të Kosovës dhe në Republikën Serbe, dhe ndoshta edhe në Mal të Zi”, tha analisti amerikan.
Server gjithashtu beson se “Brukseli është bërë më i ashpër ndaj Serbisë, ndërsa Amerika është bërë disi më pak e ashpër ndaj Serbisë”.