Aktualitet
“Po përpiqesha ta fikja zjarrin”/ 74-vjeçari mohon përfshirjen në flakët e Krujës
74-vjeçari Qemal Berhami, i ndaluar nga policia nën dyshimin se mund të kishte lidhje me zjarrin që përfshiu një zonë të Krujës, është liruar disa orë më vonë me urdhër të Prokurorisë.
Sipas dëshmisë së zbardhur nga gazetarja Anila Hoxha, Berhami ka mohuar të ketë shkaktuar zjarrin dhe ka deklaruar se, pasi ka parë flakët pranë banesës së tij, ka marrë një zorrë uji dhe është përpjekur t’i shuajë.
Në fashikujt e Prokurorisë, ndalimi është cilësuar i paligjshëm, pasi sipas organit të akuzës nuk kishte prova që e implikonin 74-vjeçarin në shkaktimin e zjarrit. Gjithashtu, Prokuroria nuk ishte njoftuar për ndalimin e tij, ndërsa Berhami rezulton të ketë bashkëpunuar me autoritetet.
Në dëshminë e tij, i moshuari ka dhënë edhe një detaj që, sipas tij, ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ka nisur zjarri. Ai ka deklaruar se në të njëjtën kohë me rënien e flakëve ishte hapur edhe saraçineska e ujit të lagjes pranë depos.
Berhami ka sqaruar se ai dhe bashkëshortja e tij hapin rregullisht ujin e pijshëm të lagjes në orare të caktuara dhe se, sipas tij, saraçineska nuk mund të hapej vetë. Për këtë arsye, ai ka hedhur dyshimin se një person tjetër mund të ketë qenë pranë depos në momentin kur ka nisur zjarri.
“Unë nuk di të jap shpjegime se si ka rënë zjarri”, mësohet të ketë deklaruar ai, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje.
74-vjeçari ka treguar gjithashtu se në momentin kur ka parë flakët ka kërkuar ndihmë nga një prej banorëve të zonës dhe më pas është përpjekur ta shuajë zjarrin me mjete rrethanore. Sipas tij, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe ka qenë e pamundur që t’i neutralizonte.
Në momentin kur policia ka mbërritur në zonë, Berhami është gjetur duke u përpjekur të shuante zjarrin.
Ndërkohë, në zonën e Abazës vijojnë operacionet për kontrollin e vatrave të mbetura aktive. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke rrezikuar edhe banesa e biznese pranë zonës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe nëse pas tij qëndron apo jo një veprim i qëllimshëm.