Connect with us

Aktualitet

8 vatra zjarri aktive në vend, 250 forca në terren, Kruja ende në situatë kritike

Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër, ndërsa strukturat e emergjencave dhe Forcat e Armatosura po vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 165 forca operacionale dhe 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Për ndërhyrjen nga ajri janë realizuar gjithashtu 7 misione me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.

Në Dajt, në territorin e bashkisë Tiranë, zjarri është riaktivizuar në pyllin me pisha, mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren ndodhen 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, ndërsa operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Në Priskë të Madhe vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e flakëve, por aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Drenie të Patosit, një vatër e konsideruar më herët nën kontroll është riaktivizuar në thellësi të pyllit. Për shuarjen e saj janë angazhuar dy avionë Air Tractor, ndërsa autoritetet raportojnë për përmirësim të situatës.

Situata mbetet problematike edhe në Krujë, ku janë aktive dy vatra zjarri. Në lagjen Abaze, flakët janë favorizuar nga era, por aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Krastë-Halil, situata ishte përkeqësuar gjatë orëve të para të mëngjesit, duke rritur rrezikun për banesat. Ndërhyrja e dy helikopterëve ka ndihmuar në përmirësimin e situatës, ndërsa forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit.

Operacionet vijojnë edhe në malin e Nemërçkës, në bashkinë Përmet, ku zjarri aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Një tjetër vatër është evidentuar në malin e Dhëmbelit, mbi fshatin Badilonjë, ku po ndërhyjnë forcat e MZSH-së Përmet.

Në Gurë-Lurë të Dibrës, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me pyll pishe dhe kullota. Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ndërhyrjet nga toka dhe ajri po përqendrohen në zonat ku vatrat paraqesin rrezikun më të madh për përhapje.

Advertisement