Kosova
Shuplakë për Kurtin/ Abdixhiku heq dorë nga postet dhe bashkëqeverisja me Kurtin
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të tërhiqet nga kërkesat për një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, duke deklaruar se do të qëndrojë në opozitë dhe se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit institucional i takon shumicës së re.
Pas një mbledhjeje rreth tre orëshe të Grupit Parlamentar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia ka hequr dorë nga kërkesat për poste institucionale, përfshirë kryetarin e Kuvendit, ministritë e propozuara dhe postin e Presidentit.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja do të mbështesë krijimin e institucioneve dhe është e gatshme të votojë një kandidat konsensual për President, nëse ai vlerësohet se mbron interesat e Republikës së Kosovës.
“Le t’i mbajë të gjitha Vetëvendosje”, mësohet të ketë deklaruar Abdixhiku, duke iu referuar qëndrimit të LDK-së për të mos kërkuar poste apo bashkëqeverisje me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij do ta ushtrojë përgjegjësinë opozitare, por nuk do të përdorë qëndrimin e saj politik për të bllokuar funksionimin e institucioneve.
Abdixhiku theksoi se, pavarësisht tërheqjes nga kërkesat për marrëveshje, LDK-ja mbetet e gatshme të dialogojë për zgjedhjen e një Presidenti konsensual, me synim zhbllokimin e situatës institucionale në Kosovë.