Connect with us

Sport

Shpërthen “Big Rom”: Akuza të rënda ndaj Napolit, Lukaku tregon pse u largua

Romelu Lukaku ka thyer heshtjen për largimin e tij nga Napoli dhe fjalët e sulmuesit belg kanë ndezur menjëherë polemikat.
“Big Rom” luajti minutat e tij të para në Champions League me fanellën e Fenerbahçes, në sfidën e play-off-it ndaj Lyonit të drejtuar nga Paulo Fonseca, e cila përfundoi në barazim 1-1. Pas ndeshjes, Lukaku foli për televizionin belg dhe nuk i kurseu aspak kritikat kur u pyet për vitin e kaluar dhe ndarjen nga Napoli.

Sulmuesi 33-vjeçar zbuloi fillimisht se ka firmosur një kontratë njëvjeçare me Fenerbahçen, me opsion për një sezon tjetër.

“Kam nënshkruar për një sezon, me opsion për një tjetër. Shpresoj t’i nderoj këto dy vite dhe më pas të kthehem në shtëpi”, deklaroi Lukaku.

Belgu foli edhe për të ardhmen e tij dhe objektivin për të vazhduar të luajë futboll në nivele të larta për disa vite të tjera.

“Do të jem sërish në formë shumë shpejt. Gjithmonë kam thënë se dua të vazhdoj deri në vitin 2030, madje edhe me kombëtaren. Pas kësaj do të jetë fundi im. Ka shumë lojtarë që luajnë deri në moshën 40-vjeçare. Është çështje mentaliteti. Nëse dëgjon gjithmonë mendimet e të tjerëve, bëhesh i palumtur. Unë kujdesem për veten time. Tani jam rikthyer”, u shpreh ai.

Por deklaratat më të forta erdhën kur Lukaku u kthye pas te sezoni i kaluar, të cilin e cilësoi si periudhën më të vështirë të jetës së tij.

“Viti më i keq i jetës sime.”

Lukaku përmendi vdekjen e babait të tij, Roger, problemet e vazhdueshme fizike dhe, në fund, ndarjen nga Napoli si faktorët që e bënë atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë.

Kur u pyet se përse vendosi të largohej nga skuadra italiane, belgu ishte tepër i drejtpërdrejtë:

“Dëgjova disa gjëra dhe u morën disa vendime… Kaq është e gjitha. Nëse kështu shkoi, atëherë ishte më mirë për mua të largohesha.”

Por Lukaku shkoi edhe më tej, duke hedhur poshtë pretendimet se nuk ishte në gjendjen e duhur fizike.

“Deklarata se nuk jam në formë është thjesht e rreme. Ndoshta e thanë këtë në Itali për të më bojkotuar. Jam 100% në formë për të luajtur.”

Një deklaratë që pritet të hapë sërish debat rreth fundit të aventurës së tij në Napoli. Lukaku tashmë ka nisur një kapitull të ri në Turqi, por duket se plagët e periudhës së kaluar ende nuk janë mbyllur plotësisht.

Advertisement