Politike
Berisha kujton Nënë Terezën: Bijë e madhe e kombit shqiptar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përkujtuar 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të mëdha të njerëzimit dhe “bijën më të shquar të kombit shqiptar”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha kujtoi 5 shtatorin e vitit 2016, kur në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën e Kalkutës.
Berisha vlerësoi kontributin e saj në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe njerëzve në nevojë, duke e cilësuar shenjtërimin e saj si një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët.
“Ajo lindi shqiptare, u bë qytetare e botës dhe mbeti deri në fund një bijë krenare e kombit të saj”, shkroi Berisha.
Në mesazhin e tij, kreu i PD-së theksoi se figura e Nënë Terezës përfaqëson vlerat e humanizmit, dashurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë. Sipas tij, shenjtërimi i saj ishte jo vetëm kurorëzimi i një jete të jashtëzakonshme, por edhe një dëshmi e kontributit që shqiptarët kanë dhënë për njerëzimin.
Berisha e përfundoi mesazhin me një shprehje krenarie për Shën Nënë Terezën, duke e cilësuar atë “bijë të madhe të kombit shqiptar” dhe duke vlerësuar trashëgiminë e saj humanitare.