Connect with us

Kosova

Mjaft është mjaft/ Picula shpërthen ndaj Vuçiçit: Hiq dorë, edhe pak kohë ka mbetur

Eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se Serbia është e lirë të zgjedhë rrugën e saj politike, por nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të heqë dorë nga revizionizmi historik dhe të respektojë vlerat evropiane.

Deklarata e tij vjen pas varrimit të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, i cili është dënuar përfundimisht për gjenocid dhe krime lufte.

Picula tha se ceremonia e varrimit të Mlladiqit duhet të shërbejë si një pikë kthese për Bashkimin Evropian në raport me autoritetet në Beograd dhe veçanërisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, BE-ja duhet të ndryshojë qasjen ndaj Beogradit, pasi hapësira për diplomaci dhe tolerim po ngushtohet gjithnjë e më shumë.

“Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i dënuar përfundimisht për gjenocid, duhet me të vërtetë të ndryshojë rrënjësisht politikën e gjatë të tolerimit të Aleksandar Vuçiqit nga ana e Bashkimit Evropian. Kjo vlen veçanërisht për Komisionin Evropian, i cili deri tani ka qenë shumë dashamirës, si dhe për disa shtete anëtare me ndikim të madh”, deklaroi Picula për HRT.

Eurodeputeti kroat theksoi se varrimi i Mlladiqit nuk është arsyeja e vetme që, sipas tij, duhet të çojë në një ndryshim të politikës së BE-së ndaj Serbisë.

Picula përmendi një sërë zhvillimesh që i konsideron shqetësuese për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Brukselit. Ndër to ai veçoi vizitën e Vuçiqit në Moskë vitin e kaluar, ku presidenti serb mori pjesë në paradën ushtarake ruse, si dhe rastin e Banjskës në veri të Kosovës.

Në listën e shqetësimeve, ai përfshiu edhe ligjet që, sipas tij, cenojnë pavarësinë e prokurorisë, si dhe ato që i cilësoi si shkelje të standardeve demokratike pas tragjedisë në Novi Sad.

Sipas Picula, të gjitha këto zhvillime duhet të merren në konsideratë nga institucionet evropiane gjatë vlerësimit të rrugës së Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Ai nënvizoi se Serbia e përcakton vetë kursin e saj, por zgjedhja për integrimin evropian nënkupton edhe respektimin e parimeve dhe standardeve mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Advertisement