Kosova
“Ndrysho rreshtin 9”/ Dëshmitë e grisura në qese mbeturinash, provat që rrezikojnë Thaçin
Në Gjykatën Speciale në Hagë po vijon seanca përfundimtare në çështjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë. Prokuroria ka paraqitur prova, dokumente dhe incizime, për të cilat pretendon se dëshmojnë përpjekje për ndërhyrje te dëshmitarët dhe ndikim në procesin gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij, prokurori Joshua Hafetz u ndal te disa prej provave të administruara gjatë hetimit, duke pretenduar se Thaçi kishte komunikuar me persona të tjerë për ndryshimin e pjesëve të dëshmive të dëshmitarëve.
Sipas prokurorisë, një prej rasteve lidhet me Isni Kilajn, me të cilin Thaçi dyshohet se ka diskutuar për dëshminë e një dëshmitari të identifikuar si dëshmitari numër 4. Hafetz pretendoi se në një incizim dëgjohet Thaçi duke dhënë udhëzime konkrete për ndryshimin e pjesëve të një deklarate të vitit 2018, duke përmendur edhe faqe dhe rreshta specifikë.
Në një pjesë të incizimit të paraqitur në seancë, Thaçi dëgjohet duke kërkuar që të korrigjohet një pjesë e deklaratës së dëshmitarit. Prokuroria pretendon se Kilaj ishte dakordësuar për t’i zbatuar këto udhëzime dhe se më pas në banesën e tij janë gjetur dokumente që lidhen me deklaratat e dëshmitarit.
Sipas Hafetz, bëhet fjalë për deklarata të viteve 2016 dhe 2018, disa prej të cilave janë gjetur të grisura në një qese mbeturinash. Prokuroria pretendon se dokumentet përputhen me pjesët për të cilat, sipas saj, Thaçi kishte kërkuar ndryshime.
Prokurori tha gjithashtu se gjatë hetimit janë evidentuar raste të tjera ku Thaçi dyshohet se ka diskutuar me vizitorë për dëshmi dhe informacione që lidhen me procesin gjyqësor. Ai iu referua edhe një vizite të regjistruar në shtator 2024, gjatë së cilës, sipas prokurorisë, ish-presidenti diskutoi për dëshmitë e disa personave.
Në një tjetër pjesë të paraqitur në seancë, Hafetz pretendoi se Thaçi kishte ulur zërin gjatë një bisede për dëshminë e një dëshmitari të identifikuar si Zurapi dhe kishte kërkuar që dëshmia e tij të ishte sa më e shkurtër dhe pa shumë detaje.
Prokuroria i ka paraqitur këto elemente si pjesë të argumentit të saj se Thaçi ka tentuar të ndërhyjë në procesin gjyqësor dhe në dëshmitë e personave të thirrur për të dëshmuar. Në përfundim të argumentimit, prokurorët kanë kërkuar që ai të shpallet fajtor për akuzat e ngritura.
