Connect with us

Sport

Infantino “flaket në rrugë”/ Franca tërheq zyrtarisht mbështetjen për presidentin e FIFA-s

Federata Franceze e Futbollit ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për Gianni Infantinon përpara zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s, që do të zhvillohen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut.

Vendimi i Francës vjen pas një serie zhvillimesh që, sipas FFF-së, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me qeverisjen e FIFA-s dhe drejtimin e institucionit nga Infantino.

Në një deklaratë zyrtare, Federata Franceze thekson se disa ngjarje të lidhura drejtpërdrejt me qeverisjen e FIFA-s dhe presidentin e saj kanë dalë në pah pas mbështetjes që i ishte dhënë Infantinos më 29 qershor.

Sipas FFF-së, këto zhvillime janë “në kundërshtim të plotë me parimet thelbësore të qeverisjes së mirë dhe vlerat e futbollit”.

Një nga çështjet që ka shkaktuar reagime të forta lidhet me planin për shitjen e të drejtave të Kupës së Botës te një fond privat investimesh, në një marrëveshje të raportuar në vlerën e 4.2 miliardë dollarëve.

Edhe pse ky projekt është braktisur pas një reagimi të koordinuar brenda UEFA-s dhe në bashkëpunim me konfederata të tjera, Federata Franceze vlerëson se problemet e qeverisjes së FIFA-s nuk janë zgjidhur.

“Veprimet e fundit të Presidentit të FIFA-s kanë kompromentuar seriozisht imazhin dhe unitetin e futbollit”, deklaron FFF.

Federata Franceze shton se synon të konsultohet me përfaqësues të futbollit ndërkombëtar për të propozuar reforma në qeverisjen e FIFA-s, me synimin për të rikthyer besimin dhe transparencën në institucion.

FFF kujton se fillimisht e kishte mbështetur Infantinon, i cili në atë kohë ishte kandidati i vetëm për një mandat të ri.

Megjithatë, sipas federatës, situata ka ndryshuar.

“Edhe pse fillimisht iu dha mbështetje Presidentit të FIFA-s, në atë kohë kandidati i vetëm për ta pasuar atë, kushtet për një mbështetje të tillë nuk ekzistojnë më”, thuhet në deklaratë.

Franca kërkon tashmë një reformë të thellë të mënyrës së qeverisjes së futbollit botëror.

Advertisement