Kosova
Alarmi analistit/ Ben Andoni: Kosova po dështon si shtet, Rusia dhe Kina do ta përdorin krizën
Analisti politik Ben Andoni ka ngritur shqetësimin për krizën institucionale në Kosovë, duke deklaruar se zvarritja e krijimit të institucioneve po e çon vendin drejt një situate të rrezikshme.
Sipas Andonit, mungesa e një zgjidhjeje për konstituimin e institucioneve mund t’u japë argumente Rusisë dhe Kinës në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vënë në pikëpyetje funksionimin e Kosovës si shtet.
“Autoriteti rus dhe ai kinez do të kenë argumente për t’u thënë kolegëve të tyre që Kosova nuk bën dot institucione, Kosova nuk është shtet. Jemi drejt kësaj”, deklaroi Andoni.
Ai paralajmëroi se zhvillimi i zgjedhjeve të reja nuk do të sillte domosdoshmërisht zgjidhje, por mund të prodhonte një tjetër krizë politike.
Andoni e cilësoi situatën si veçanërisht shqetësuese, duke thënë se Kosova po rrezikon të perceptohet si një shtet që nuk arrin të funksionojë institucionalisht.
“Duhet të jesh naiv që të mos e kuptosh se Kosova është drejt asaj që po dështon si shtet dhe kjo është tragjedia më e madhe e asaj sakrifice që është bërë prej dekadash”, u shpreh ai.
Analisti përmendi edhe Shqipërinë, duke paralajmëruar se edhe Tirana nuk është shumë larg një rruge të ngjashme.
Duke komentuar zhvillimet e fundit politike, Andoni tha se mundësia më e madhe është që Kosova të përballet me një tjetër palë zgjedhjesh brenda këtij viti.
“Mundësitë më të mëdha janë që Kosova të ketë edhe një palë zgjedhje të tjera brenda këtij viti dhe kjo duket arsyeja më logjike e gjithë kësaj që po ndodh”, tha ai.
Sipas tij, nëse partitë politike do të ishin realisht të interesuara për gjetjen e një zgjidhjeje, situata aktuale nuk do të kishte arritur në këtë pikë.
“Në Kosovë po ndodh ndryshe. Ky debat që është surreal po kthehet në normal”, përfundoi Andoni.