Kosova
KUPA U MBUSH/ Media gjermane: Serbia po ecën në të njëjtën rrugë si Turqia dhe Gjeorgjia
Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka publikuar një koment të fortë për Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se durimi i Bashkimit Evropian ndaj Beogradit ka marrë fund.
Komentari, i publikuar më 10 shtator nga gazetari i FAZ-it në Bruksel, Thomas Gutschker, mban titullin “Durimi i BE-së me Serbinë ka marrë fund”.
Gutschker argumenton se BE-ja ka treguar prej vitesh tolerancë ndaj vendeve kandidate për anëtarësim, duke kuptuar vështirësitë e reformave dhe përplasjen mes interesave kombëtare dhe detyrimeve evropiane.
Megjithatë, sipas tij, kjo tolerancë ka kufijtë e saj.
“Kur një qeveri as nuk përpiqet të gjejë këtë ekuilibër dhe shkel sistematikisht vlerat evropiane, edhe durimi engjëllor përfundimisht shteron”, shkruan gazetari gjerman.
Ai vë në dukje se Turqia dhe Gjeorgjia tashmë janë përballur me këtë qëndrim të BE-së, pasi negociatat e tyre për anëtarësim janë ngrirë për arsye politike.
“Serbia tani është në të njëjtën rrugë”, thekson Gutschker.
Mlladiq “mbushi kupën”
Sipas gazetarit të FAZ-it, një prej zhvillimeve që e ka përshpejtuar këtë qëndrim të BE-së ishte varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte, me nderime ushtarake dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë.
Gutschker e cilëson këtë si “pikën që mbushi kupën”, ndërsa thekson se Vuçiqi e kishte mbushur atë prej vitesh.
Në koment përmenden si arsye edhe pengimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, problemet me sundimin e ligjit, demokracinë dhe ndarjen e pushteteve në Serbi.
Në fokus është edhe afrimi i Vuçiqit me presidentin rus Vladimir Putin dhe refuzimi i Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
“Mundësia e fundit për perspektivën evropiane”
Në përfundim, gazetari i FAZ-it argumenton se Këshilli Evropian duhet të nxjerrë pasoja nga sjellja e Serbisë.
Megjithatë, sipas tij, BE-ja nuk pritet ta mbyllë menjëherë derën për Beogradin, të paktën jo përpara zgjedhjeve parlamentare të paralajmëruara në Serbi në fund të tetorit.
Për qytetarët serbë, Gutschker e sheh këtë periudhë si një mundësi vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit.
“Për serbët, kjo mund të jetë mundësia e fundit për një perspektivë evropiane”, përfundon komentari i gazetarit të FAZ-it.