Kosova
BOMBA e Isa Mustafës: Kjo që po ndodh në Kosovë, është diktaturë e mbështjellë me numra
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Mustafa tha se sjellja e partisë me numrin më të madh të deputetëve nuk tregon vullnet për përfundimin e procesit, por sipas tij, përpjekje për ta zvarritur atë.
“Është një diktaturë e mbështjellë me numra”, deklaroi Mustafa, duke iu referuar situatës politike në Kosovë.
Ai kritikoi edhe partitë opozitare, të cilat, sipas tij, nuk kanë një strategji të përbashkët për përballimin e situatës.
“Njëra parti po përpiqet ta ndihmojë Kurtin ta përfundojë procesin nga frika e zgjedhjeve të reja. Dy partitë e tjera po përpiqen t’i bindin qytetarët se, nëse mbahen zgjedhje të reja, faji nuk është i tyre, por i Kurtit”, tha Mustafa.
Sipas tij, aktualisht nuk ekziston një zgjidhje ideale për krizën, por partitë duhet të shmangin çdo veprim që mund të konsiderohet jokushtetues.
I pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Mustafa tha se partitë politike nuk duhet t’i shohin zgjedhjet si kërcënim.
“Nuk mendoj se do të ndodhte diçka e keqe. Partitë politike themelohen dhe drejtohen me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhje, jo frikën prej tyre”, u shpreh ai.
Mustafa shtoi se ata që kanë frikë nga zgjedhjet duhet të tërhiqen nga pozicionet drejtuese dhe të kontribuojnë për fitoren e partive të tyre.
Në fund, ai iu referua edhe diasporës, duke thënë se ajo ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Kosovën, por duhet të respektojë parimet demokratike.
“Diaspora gjithmonë e ka mbështetur vendin, por duhet të përmbahet nga mohimi i këtij kontributi duke imponuar një diktaturë në Kosovë, ndërkohë që vetë jeton dhe punon brenda kornizës së një demokracie evropiane”, deklaroi Mustafa.